Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj një shtetasi rus që drejton Try2Check, një rrjet faqesh në internet që verifikon numrat e kartave të vjedhura të kreditit për kriminelët kibernetikë.
Tashmë janë çaktivizuar katër faqet në internet të këtij rrjeti, dhe Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacionin që mund të shërbejë për kapjen e Denis Gennadievich Kulkovit, i cili mendohet se është ideatori i rrjetit Try2Check.
Zoti Kulkov mendohet se gjendet në Samara, të Rusisë.
Një juri e madhe bëri publike të mërkurën akuzat ndaj tij, për mashtrime me qasjen në paisje, ndërhyrje në kompjutera dhe spastrim parash.
Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet me deri në 20 vite burgim.
Akuzat i njoftuan Breon Peace, prokurori për distriktin lindor të Nju Jorkut, dhe Patrick Freaney, drejtues i zyrës në Nju Jork të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara.
“Sot është një ditë e keqe për kriminelët që mbështeten tek platforma e të akuzuarit si mjeti i tyre më i mirë për të verifikuar kartat e vjedhura të kreditit që u merren njerëzve që punojnë shumë në distriktin lindor të Nju Jorkut dhe që kanë vlerë në mbarë botën”, u shpreh në një deklaratë prokurori Peace.
Sipas dokumentave gjyqësore, zoti Kulkov themeloi rrjetin Try2Check në vitin 2005, dhe ngriti një shërbim jetik në internet për kriminelët kibernetikë që blejnë dhe shesin kartat e vjedhura të kreditit.
Kriminelët kibernetikë vjedhin miliona numra karta krediti çdo vit duke ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në bankat e të dhënave dhe sistemet e pagesave. Në vazhdim, ata i shesin numrat, ndoshta me mijëra apo edhe miliona së bashku, nëpërmjet platformave të shkëmbimit të mesazheve. Por, shumë nga numrat rezultojnë të kotë, pasi shumica çaktivizohen ndërkohë.
Për të filtruar numrat e kartave, kriminelët kibernetikë shfrytëzojnë faqet e internetit që verifikojnë kartat, siç është Try2Check.
Këto shërbime u mundësojnë kriminelëve kibernetikë që të verifikojnë autenticitetin e kartave të vjedhura të kreditit përpara se t’i nxjerrin në shitje.
Try2Check ishte ndër shërbimet më popullore të këtij lloji, dhe bënte dhjetëra miliona verifikime në vit nëpërmjet katër faqeve të tij të internetit, thuhet në dokumentat e gjykatës.
Përllogaritet se zoti Kulkov ka fituar nga përqindjet rreth 18 milionë dollarë.
FBI-ja dhe Shërbimit Sekret amerikan kishin filluar hetimet për Try2Check që nga viti 2013. Operacioni i goditjes së faqeve të internetit u koordinua me autoritetet në Austri dhe Gjermani.
Mashtrimi me kartat e kreditit është një problem në rritje në mbarë botën.
Sipas “Nilson Report”, humbjet në mbarë botën nga vjedhja e kartave të kreditit do të jenë mbi 397 miliardë dollarë gjatë 10 viteve në vazhdim, nga këto 165 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara./VOA