Lëvizja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, me rastin e festës së themelimit të shtetit të Izraelit.
Zhvendosja dhe hapja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem pritet të ndodhë në muajin maj. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë administratës amerikane të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Në kushte anonimati, burimet kanë theksuar se hapja e selisë së re diplomatike 3 muaj më vonë përkon me 70-vjetorin e themelimit të shtetit të Izraelit. Nëse ndodh kështu, përurimi i ambasadës do të bëhet shumë më herët nga sa ishte paralajmëruar më parë nga Uashingtoni zyrtar.
Pak kohë më parë në Parlamentin izraelit, zëvendës presidenti Mike Pence deklaroi se lëvizja do të bëhej brenda vitit 2019. Vitin e kaluar presidenti Donald Trump njoftoi njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, duke acaruar aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara dhe sidomos palestinezët, të cilët e shohin pjesën lindore të qytetit si kryeqytetin e tyre. Hapja e ambasadës në Jeruzalem i jep fund një politike disa dekadëshe të Amerikës, që përfaqësinë e saj deri më sot e ka pasur në Tel Aviv./abcnews.al