SHBA ndalon diplomatët të komentojnë zgjedhjet jashtë vendit/ Minxhozi: Po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën

schedule18:36 - 18 Korrik, 2025

schedule 18:36 - 18 Korrik, 2025

Analisti Skënder Minxhozi deklaroi në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News se diplomacia amerikane ka pësuar një kthesë të dukshme në qasjen e saj ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas tij, ky ndryshim lidhet me një zbërthim të asaj që ai e cilëson si “doktrina Trump”, e cila ka lënë gjurmë në qasjen aktuale të SHBA-së.

“Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë dhe tregohet pse e ka marrë dhe ku konstatohet ajo. Amerika përqendronte një qëndrim për zgjedhjet, kudo ku ndodhnin, dhe ishte një arbitër për zgjedhjet kudo ku ndodhnin. Sot Amerika ka ndryshuar dhe po zbërthen doktrinën Trump. Diplomacia amerikane ka marrë një kthesë, e cila tani shpjegohet; kemi zbërthimin zyrtar të asaj që ndodhi ose nuk ndodhi më 11 maj. Ne patëm një datë të madhe më 11 maj; amerikanët e rinj nuk kanë folur më as për drejtësinë e re. Shikoj që ka një apati, një tërheqje për të mos futur hundët te punët e të tjerëve. Natyrisht, heqja e fokusit dhe një tërheqje e madhe nga ne nuk është një gjë e mirë. Janë procese të koklavitura, që ecin ngadalë. Në sytë e amerikanëve kjo është diçka e re, sepse Amerika po riformaton marrëdhëniet me të gjithë botën. Administrata e re ka një qasje të re ndaj rolit që ka Amerika në raport me vendet e tjera,” tha analisti.

Duke folur për skenën politike shqiptare, Minxhozi kritikoi opozitën për qëndrime të shkëputura nga realiteti ndërkombëtar. Ai përmendi gjithashtu pritshmëritë e opozitës për një ndryshim qëndrimi nga SHBA ndaj çështjes së “non gratës” së Sali Berishës dhe dosjes “McGonigal”, duke theksuar se këto janë rrëzuar nga raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Opozita vazhdon të jetojë në një univers paralel, nuk sheh se çfarë po ndodh, nuk dëshiron që t’i shikojë gjërat në kontekst dhe të pranojë marrëdhëniet e reja. Kërkon që të sillet si në kohën e Biden, por ne duam kohën e Trump dhe këtu ka një kontradiktë. Pritshmëritë që opozita krijoi për heqjen e ‘non gratës’ së Berishës apo edhe për dosjen ‘McGonigal’, por raporti i fundit i DASH konfirmon krejt të kundërtën e asaj që pretendoi opozita shqiptare,” shtoi Skënder Minxhozi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!