SHBA, miratohet rezoluta që formalizon procedurën e hetimit për shkarkimin e Presidentit

schedule17:36 - 31 Tetor, 2019

schedule 17:36 - 31 Tetor, 2019

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të enjten një rezolutë që vë në lëvizje zyrtarisht procesin përmes së cilit komisionet do të vazhdojnë hetimin për të përcaktuar nëse Presidenti Trump duhet të përballet me një procedurë shkarkimi.

Votimi i së enjtes në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan tregoi përçarjen mes demokratëve të shumicës, udhëheqësit e së cilëve kishin argumentuar se nuk ishte e nevojshme një rezolutë e tillë për ta bërë procesin legjitim, dhe pakicës republikane që deri tani e ka kundërshtuar hetimin duke thënë se është një proces shumë hermetik dhe se atyre nuk u është dhënë një rol i barabartë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha në një letër për ligjvënësit demokratë se ky hap po ndërmerrej për të eliminuar çdo dyshim nëse administrata e Presidentit Trump mund të bllokojë dokumenta, të pengojë dëshmitarët, të shpërfillë thirrjet e autorizuara për detyrim paraqitjeje, apo të vazhdojë të pengojë Dhomën e Përfaqësuesve.

Kryetari i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se rezoluta nuk sjell drejtësi dhe nuk siguron procesin e duhur për hetimin. Ai tha se e kupton që shumë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e kishin marrë vendimin për shkarkim, vite më parë. Por normat tona bazë të drejtësisë nuk zhduken, thjesht sepse demokratët e Uashingtonit kanë vendosur kështu, tha ai.

Rezoluta bën thirrje për mbajtjen e seancave publike dhe më pas Komisioni i Zbulimit t’i dorëzojë një raport me përfundime dhe rekomandime Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, që do t’i rekomandojë gjithë Dhomës së Përfaqësuesve nëse duhet mbajtur votimi për shkarkim apo jo.

Zoti Trump e ka quajtur hetimin për procesin e shkarkimit një gjueti shtrigash dhe një sajesë. Ai e ka përshkruar telefonatën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në qendër të hetimit si “të përkryer”. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!