SHBA, milicia pro-Trump. Ndalon emigrantët në kufi me Meksikën

schedule19:46 - 19 Prill, 2019

schedule 19:46 - 19 Prill, 2019

Një video që tregon një milici amerikane pro-presidentit Trump që nën kërcënimin e armëve mban nën kontroll një grup emigrantësh në kufirin SHBA-Meksikë ka shkaktuar polemika. Militantët kanë deklaruar se do të kujdesen për kufirin derisa të ngrihet muri i propozuar nga presidenti.

Persona të armatosur, anëtarë të një milicie të krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara, kanë ndaluar rreth 300 emigrantë që përpiqeshin të kalonin e Meksikës. Pjesëtarët e Grupit, i quajtur Patriotët e Bashkuar Kushtetues, shihen në një video teksa mbajnë nën kontroll një grup emigrantësh të ulur në shkretëtirë. Veprimet e kësaj njësie janë dënuar nga grupet e të drejtave civile dhe zyrtarë të shtetit të Nju Meksikos, ku u ndaluan dhe refugjatët.

Milicia në fjalë njihet si mbështetëse e planit të presidentit Donald Trump për ngritjen e murit në kufi me Meksikën. Incidenti vjen në një kohë kur kalimet ilegale të kufirit kanë pësuar rritje, pavarësisht përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të frenuar fluksin. Videoja, e xhiruar nga një anëtar i milicisë më 16 prill, tregon një grup të madh emigrantësh që thuhet se sapo kishin kaluar kufirin në afërsi të lokalitetit Sanlend Park, të mbahen të ndaluar nën kërcënimin e armëve. Emigrantët, mes të cilëve shumë gra dhe fëmijë, qëndrojnë të ulur në errësirë dhe fytyrat e tyre ndriçohen vetëm nga dritat e drejtuara ndaj tyre nga anëtarët e milicisë.

Një zëdhënës i Patriotëve të Bashkuar Kushtetues ka deklaruar për “Nju Jork Tajms” se, grupi është vendosur në rajon në dy muajt e fundit dhe planifikon të qëndrojë derisa presidenti Trump t’ia arrijë qëllimit për ndërtimin e murit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!