SHBA/Masakër në një sinagogë në Pitsburg, 8 të vrarë dhe 12 të plagosur

schedule18:44 - 27 Tetor, 2018

schedule 18:44 - 27 Tetor, 2018

Një masakër me të paktën 8 të vdekur dhe 12 të plagosur përgjaku të shtunën një shërbesë fetare në një sinagogë në Shtetet e Bashkuara. Duke reaguar mbi ngjarjen, presidenti Donald Trump deklaroi se, shkak i tragjedisë ishte mungesa e rojeve të armatosura në objektin e kultit.

Të paktën 8 persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur të shtunën, në një sulm të armatosur të ndodhur në një sinagogë në qytetin Pitsburg të Shteteve të Bashkuara. Sipas mediave amerikane, një person hyri në ambjentet e objektit të kultit dhe hapi zjarr ndaj të pranishmëve. Njësitë policore mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, bënë rrethimin e zonës dhe arritën të vënë në pranga autorin, që qëlloi edhe ndaj oficerëve duke plagosur disa prej tyre. Ndërkohë, autoritetet paralajmëruan banorët e zonës që të qëndronin në shtëpitë e tyre derisa të përfundonin të gjitha kontrollet. Në sinagogën “Pema e Jetës” po mbahej një shërbesë fetare, e nisur në 9:45, me orën lokale.

Përpara se të hapte zjarr, agresori, 46 vjeç, i racës së bardhë dhe me mjekër bëri komente kundër hebrenjve. “Ata duhet të vdesin të gjithë”, tha ai. Duke reaguar, presidenti Donald Trump e cilësoi episodin një “ngjarje të tmerrshme”, por që sipas tij nuk ka lidhje me ligjet për armët. Ai theksoi se agresori mund të ishte ndaluar nëse sinagoga do të kishte roje të armatosur. “Nëse do të kishin pasur mbrojtje brenda, atëherë gjithçka do të kishte shkuar ndryshe, shumë ndryshe”, tha Trump. Duke e cilësuar autorin e sulmit një manjak, presidenti nënvizoi se persona të tillë duhet të dënohen me vdekje. Një reagim erdhi edhe nga kryeministri izraelit Benjiamin Netanyahu, i cili u shpreh “zemërthyer dhe i hidhëruar” për ngjarjen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!