SHBA, Martin Shkreli humb betejën me drejtësinë

schedule21:57 - 23 Shkurt, 2018

schedule 21:57 - 23 Shkurt, 2018

Ish-sipërmarrësi me origjinë shqiptare, Martin Shkreli, ka humbur betejën e radhës me drejtësinë amerikane. Gjykata e Bruklinit ka rikonfirmuar dënimin për manipulime financiare, duke rrëzuar kërkesën e tij për shfuqizim.

Një gjyqtar në Shtetet e Bashkuara refuzoi këtë të premte shfuqizimin e dënimit ndaj ish-sipërmarrësit me origjinë shqiptare, Martin Shkreli, fajtor për hartimin e një skeme manipulimi për të rritur vlerën e aksioneve të kompanisë së tij. Në seancën e mbajtur në gjykatën federale të Bruklinit, gjyqtari deklaroi se provat në ngarkim të Shkrelit ishin aq të shumta sa që nuk shihte arsye për të anuluar vendimin e jurisë, të marrë gushtin e kaluar.

Shkreli u përpoq të rriste çmimin e aksioneve të kompanisë “Retrophin Inc”, duke udhëzuar nga ana tjetër njerëz të afërt me të që të mos i shisnin stoqet. 34-vjeçari, i cili u burgos shtatorin e kaluar pasi ofroi një shumë prej 5 mijë dollarë për kë i shkulte një fije floku ish-kandidates për presidente Hillary Clinton, ishte i pranishëm në seancën e së premtes, gjatë të cilës buzëqeshi disa herë.

Sidoqoftë, bëma që e bëri atë të famshëm dhe njëkohësisht një ndër personat më të urryer në Amerikë ishte rritja e çmimit të ilaçit Daraprim me 5 mijë për qind në vitin 2015, kur ishte drejtues ekzekutiv i kompanisë “Turing Pharmaceuticals”. Kjo lëvizje e tij shkaktoi indinjatë tek pacientët e sëmurë dhe ligjvënësit amerikanë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!