SHBA: Koreja e Veriut do ta paguajë shtrenjtë nëse furnizon me armë Moskën

schedule20:11 - 5 Shtator, 2023

schedule 20:11 - 5 Shtator, 2023

“Koreja e Veriut do të paguajë një çmim nëse e furnizon Rusinë me armë”. Kështu deklaroi këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, në një konferencë për shtyp, duke nënvizuar se fakti që Moska po i drejtohet një “vendi si Koreja e Veriut tregon shumë për aftësitë e saj”.

Një ditë më parë, mediat amerikane raportuan se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un po planifikon një udhëtim në Rusi këtë muaj. Ai synon të diskutojë për sigurimin e mundshëm të Moskës me armë për të mbështetur luftën e saj të vazhdueshme në Ukrainë, u shpreh një zyrtar amerikan për CBS News.

Moska refuzoi këtë të martë të konfirmojë takimin mes tyre por la të kuptohet për mundësinë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. “Jo, nuk mund të konfirmojmë, nuk kemi asgjë për të thënë për këtë çështje,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në përgjigje të pretendimeve të SHBA./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!