Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të Samitit të katërt të Këshillit të Evropës, mori pjesë në diskutimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura, ku u diskutuan modelet për ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë në kohën kur ajo përballet me rreziqe të mëdha.
Siç njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kovaçevski iu referua detyrimit të të gjitha vendeve që të dënojnë ashpër agresionin kundër parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit botëror, përfshirë demokracinë si dhe të tregojnë solidaritet dhe unitet në mbrojtjen e vlerave morale, veçanërisht në një kohë sfidash globale.
“Çdo formë agresioni dhe vuajtje e popullatës civile, si mjet për arritjen e një qëllimi, u vlerësua si e papranueshme. Gjithashtu, u theksua rëndësia e integrimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si një investim në forcimin e sigurisë së Evropës, për të cilën zhvillimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut janë themelet”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Tryeza e rrumbullakët në kuadër të Samitit të Këshillit të Evropës, u bashkëkryesua nga presidenti i Rumanisë, Klaus Johannes dhe kryeministri i Luksemburgut, Javier Bethel, ndërsa në të morën pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Sllovakisë, Suzana Çaputova, kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Garr dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni.