Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se ka “raportime të besueshme” që tregojnë se Hamasi po planifikon një sulm të menjëhershëm ndaj civilëve palestinezë në Gaza, një veprim që do të përbënte shkelje të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit.
Në një deklaratë zyrtare, Departamenti i Shtetit thekson se një sulm i tillë do të ishte “një shkelje e drejtpërdrejtë dhe e rëndë” e armëpushimit dhe do të minonte përparimin e arritur përmes përpjekjeve ndërmjetësuese.
Shtetet e Bashkuara nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi raportimet që pretendojnë dhe mbetet e paqartë cilat burime janë cituar.
Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është në zbatim: të gjithë pengjet e gjalla janë liruar dhe trupat e viktimave janë në proces kthimi në Izrael. Si pjesë e marrëveshjes, Izraeli ka liruar 250 të burgosur palestinezë dhe 1.718 të ndaluar nga Gaza.
Washingtoni ka njoftuar tashmë shtetet garantuese të marrëveshjes së paqes për Gazën, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë dhe u ka kërkuar autoriteteve të Hamasit të respektojnë detyrimet e tyre ndaj armëpushimit.
“Nëse Hamasi e kryen këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e marrëveshjes së armëpushimit,” thuhet në deklaratën amerikane.
Hamasi nuk ka komentuar ende mbi këtë deklaratë.
Donald Trump, ka paralajmëruar më herët Hamasin kundër vrasjes së civilëve në Gaza.
“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që nuk ishte pjesë e marrëveshjes, nuk do të na mbetet gjë tjetër veçse të ndërhyjmë dhe t’i eliminojmë,” shkroi ai në rrjetin Truth Social. Më pas, ai sqaroi se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Gaza.
Javën e kaluar, BBC Verify konfirmoi autenticitetin e disa videove tronditëse që tregonin një ekzekutim publik nga persona të armatosur në Gaza, që besohet se ishin pjesëtarë të Hamasit. Pamjet tregonin tetë persona me duart e lidhura, të rreshtuar dhe të qëlluar për vdekje në një shesh publik. Identiteti i autorëve nuk u konfirmua, por disa prej tyre mbanin shiritat e gjelbër që zakonisht lidhen me Hamasin.
Po të shtunën, Izraeli bëri të ditur se ka marrë trupat e dy personave të tjerë nga Gaza, që besohet të jenë pengje të vrarë, por identiteti i tyre nuk është konfirmuar ende. Deri më tani, janë kthyer trupat e 10 nga 28 pengje të vrarë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi të shtunën se pika kufitare e Rafahut, ndërmjet Gazës dhe Egjiptit, do të qëndrojë e mbyllur deri në kthimin e të gjitha trupave të pengjeve të vrarë.
Rafahu është një kalim jetik për palestinezët që kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë Gazës dhe për mijëra të tjerë që duan të kthehen.
Ndërkohë, të shtunën, 11 anëtarë të një familjeje palestineze humbën jetën nga një predhë tanku izraelit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes Civile të kontrolluar nga Hamasi. Ky është incidenti më vdekjeprurës që përfshin forcat izraelite në Gaza që prej nisjes së armëpushimit.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar ndaj një “automjeti të dyshimtë” që kishte kaluar vijën e verdhë, një kufi i përcaktuar që ndan zonat e pushtuara ende nga forcat izraelite në Gaza. Nuk ka shenja fizike të kësaj vije, dhe mbetet e paqartë nëse automjeti në fjalë e ka kaluar atë. BBC ka kërkuar koordinatat nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.
Fushata ushtarake izraelite në Gaza nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur persona të armatosur të Hamasit vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe morën peng 251 të tjerë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, të paktën 68.000 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite që atëherë. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Në shtator, një komision hetimor i OKB-së akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit ndaj palestinezëve në Gaza – akuzë që u mohua kategorikisht nga Izraeli, i cili e quajti raportin “të shtrembëruar dhe të pavërtetë”.

