SHBA-Kanada, dështojnë bisedimet për marrëdhëniet tregtare

schedule20:35 - 1 Shtator, 2018

schedule 20:35 - 1 Shtator, 2018

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për një traktat të ri të tregtisë së lirë kanë dështuar. Në raundin e negociatave të zhvilluara të premten palët nuk lëvizën nga pozicionet e tyre.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për ndryshimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë mes vendeve të Amerikës së Veriut u mbyllën pa një marrëveshje. Autoritetet amerikane deklaruan megjithatë se do të takohen sërish me homologët kanadezë javën e ardhshme, në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët. Për momentin, pala amerikane synon të avancojë marrëveshjen me Meksikën sipas kushteve të reja për të cilat u ra dakord më herët gjatë javës.

Sidoqoftë, skepticizmi i Kanadasë vë në dyshim se cili do të jetë fati i marrëveshjes trepalëshe, që lëvron rreth 1 trilion dollarë në vit nga tregtia. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Kanadaja të ofrojë akses për produktet bulmetore dhe medikamentet amerikane dhe të tërhiqet nga panelet ndërkombëtare, në mënyrë që mosmarrëveshjet të zgjidhen mes investitorëve dhe qeverive përkatëse. Produktet bulmetore ishin një çështje e diskutuar mes palëve ditën e premte, për të cilën amerikanët deklaruan se kanadezët nuk kishin bërë asnjë lëshim. Kryeministri kanadez Xhastin Trudo deklaroi se qeveria e tij është e vendosur për këtë çështje. Ndërsa presidenti Donald Trump i bëri me dije Kongresit se synon ta nënshkruajë marrëveshjen e re me Meksikën brenda 90 ditëve dhe me Kanadanë, nëse ajo do të dëshirojë./abcnews.al