Eksperti Redjon Qirjazi ka komentuar strategjinë e SHBA në Europë dhe ndikimin e saj mbi aleancat dhe konfliktet rajonale. Ai thekson se SHBA e sheh veten si aktor dominues dhe kërkon mënyra të reja për t’u përfshirë në kontinentin europian, veçanërisht pas konfliktit Rusi-Ukrainë.
Qirjazi paralajmëron se një Europa me pavarësi më të madhe mund të reduktojë ndikimin e SHBA. Ai shton gjithashtu se fraksionimi i Bashkimit Europian dhe tensionet e brendshme ushqejnë frymën e politikanëve populistë si Trump dhe synojnë përçarjen e kontinentit.
“Kjo strategji lidhet me mënyrën sesi SHBA e sheh veten. Aktualisht kemi një konflikt Rusi-Ukrainë, ku vendet e Europës po fitonin pavarësi në çështjet e sigurisë nga SHBA. Amerika e gjente veten brenda NATO-s duke u dukur si jashtë mode dhe duhej të gjente forma të tjera për t’u përfshirë në kontinentin europian.
Shihen politika transaksionale tipike, si ato të Trump-it, ku nxitja e përçarjes në vendet e Europës shkon në interes të SHBA, sepse lejon riformulimin e aleancave të reja brenda strukturave të sigurisë. Në terma afatshkurtër, kjo krijon tensione dhe rrjedhimisht forcon vullnetin e SHBA. Ky është një indikator i një vlerësimi që SHBA bën edhe për vetveten: kur je në majë ke vetëm një drejtim ku mund të shkosh. SHBA ka interes që të orkestrojë vendet e tjera dhe të ruajë dominancën kundër Europës.
Edhe shumë aleanca të vjetra, që kanë shtetet europiane, duhet të vendosin nëse do të kthejnë fytyrën drejt Europës apo do të mbajnë lidhje të forta me SHBA. Nëse Europa vendos të ndjekë një politikë me pavarësi më të madhe, SHBA humb influencë. Nëse kemi një fraksionim të BE-së, si pasojë e politikave të ndryshme, sidomos në çështjen e emigracionit, mund të kemi një Europë të dobësuar. Kjo ushqen frymën e madhe të Trump-it dhe synon përçarjen e kontinentit.” / abcnews.al /

