SHBA i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

schedule20:55 - 29 Shtator, 2023

schedule 20:55 - 29 Shtator, 2023

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator, shkruan REL.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

Zyrtari i lartë amerikan u pyet nëse SHBA-ja ka dijeni nëse Serbia dhe Rusia janë të përfshira në sulmin në Banjskë dhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Beogradit.

Ai tha se hetimet për këtë po vazhdojnë dhe “duam që Serbia të marrë pjesë në hetime”.

Kirby theksoi sulmi kishte “një nivel të lartë të sofistikimit”, duke shtuar se nuk duket se “kishte një grup personash që u mblodhën dhe vendosën ta bënin këtë”.

Ai tha se është shqetësues armët që janë gjetur pas incidentit, që tha se janë të nivelit ushtarak, përfshirë granatahedhës dhe armë të tjera.