Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar 37 mjete të blinduara për Forcat e Armatosura. E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë Leyla Moses-Ones tha se kjo paketë do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë e do të forcojë krahun jugor të NATO-s.
Këto mjete janë të mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara. 37 të tilla janë një dhuratë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia bëjnë Forcave të Armatosura me qëllim që të jenë më të afta për të kryer detyrat e tyre. Por jo vetëm kaq.
“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin e shkëlqyer të ministres Xhaçka dhe gjeneral Kollçakut, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë”, tha e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Leyla Moses-Ones.
Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se armatimi i ri sipas standardeve të NATO-s ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve shqiptarë.
“Mjetet do të mundësojnë zgjerimin e spektrit të detyrave dhe misionit të trupave tanë dhe do të rrisin sigurinë e personelit sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, i cili konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të pranishme në mjedisin operativ”, u shpreh ajo.
37 mjetet e blinduara kanë një ekuipazh prej 3 deri në 7 ushtarakësh./abcnews.al