SHBA hap ambasadën në Jeruzalem, palestinezët protestojnë në kufi

schedule18:29 - 14 Maj, 2018

schedule 18:29 - 14 Maj, 2018

Të paktën 43 palestinezë janë vrarë dhe mbi 2.200 të tjerë janë plagosur nga forcat izraelite të sigurisë, në atë që njihet si dita më e zezë e dhunës që prej luftës së vitit 2014 në Gaza. Aktet e dhunës erdhën pasi Shtetet e Bashkuara përuruan ambasadën e tyre në Jeruzalem, një lëvizje që ka acaruar palestinezët.

Ata e shohin këtë akt si mbështetje të pastër që Amerika po i ofron sundimit izraelit në të gjithë qytetin, pjesën lindore të të cilit palestinezët e konsiderojnë të tyren. Por presidenti Donald Trump e përshëndeti ceremoninë e përurimit përmes një video-mesazhi. “Izraeli është një vend sovran që gëzon të drejtën të përcaktojë kryeqytetin e tij, por për shumë vite ne dështuam të tregonim atë që ishte mëse e qartë”, deklaroi Trump.

Shtetet e Bashkuara, vijoi presidenti, mbeten të angazhuara të lehtësojnë procesin e paqes mes palëve. Por në vijën kufitare palestinezët gjuajtën gurë dhe bomba molotov, ndërsa ushtria izraelite përdori snajpera dhe u vuri zjarrin gomave të makinave për të penguar avancimin e tyre.

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga lëvizja islamike e Hamasit, ka deklaruar se mes viktimave ka edhe fëmijë.

Nga ana e tij, Izraeli ka deklaruar se protestuesit synonin të kalonin kufirin dhe të sulmonin komunitetin izraelit. Autoritetet e shtetit hebre kanë nënvizuar se rreth 40 mijë palestinezë morën pjesë në protestat e dhunshme, në 13 lokalitete përgjatë kufirit në Rripin e Gazës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!