SHBA, gjykata çon në burg ish-këshilltarin e Trump, Paul Manafort

schedule21:37 - 15 Qershor, 2018

schedule 21:37 - 15 Qershor, 2018

Ish-këshilltari i presidentit Donald Trump, që drejtoi fushatën elektorale në zgjedhjet e 2016-ës, ka përfunduar në qeli. Pol Menfort po gjykohet për krime financiare, por njëkohësisht ai konsiderohet element kyç në hetimin “Russiagate”.

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara futi në burg të premten ish-kryetarin e stafit elektoral të presidentit Trump, Pol Menfort. Menfort, një politikan i vjetër dhe biznesmen, ka qenë në fokus të prokurorit të posaçëm Robert Myler, që po heton mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Ai ishte në arrest shtëpie në pritje të gjyqit për një seri krimesh financiare, mes të cilave “komplot për pastrim parash” dhe “mashtrim”. Por javën e kaluar Myler ngriti ndaj tij një akuzë të re, atë të “ndikimit tek dëshmitarët”, që detyroi gjykatën të rishikojë masën e arrestit. Në seancën e së premtes, Menfort u deklarua i pafajshëm, por gjyqtarja vendosi ta dërgonte në qeli. “Nuk më pëlqen ta bëj, por nuk mund të mbyll sytë. Ju keni abuzuar me besimin që ju është dhënë”, tha gjyqtarja Ami Berman Xhekson. Menfort u kthye për një çast për të përshëndetur bashkëshorten, para se të merrej nga policia dhe të nxirrej nga salla e gjyqit. Menfort drejtoi fushatën e Trump derisa u dorëhoq në gusht të 2016-s, pas zërave se kishte përfituar pagesa ilegale nga partia e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës. Ndërkohë, ekspertët ligjorë deklarojnë se burgimi është një formë presioni e Robert Myler, në mënyrë që Menfort të pranojë fajin dhe të ndihmojë në hetimin e “Russiagate”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!