SHBA gati mbi 8 mijë trupa nëse Rusia pushton Ukrainën, Moska: Jeni histerikë

schedule22:18 - 24 Janar, 2022

schedule 22:18 - 24 Janar, 2022

SHBA ka vënë në gatishmëri 8,500 trupa të cilët do të jenë gati të vendosen në Evropë nën udhëheqjen e  NATO-s në rast të një pushtimi rus të Ukrainës, tha sonte zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby.

“Numri i trupave që ministria ka vënë në gatishmëri është 8,500 ” tha ai, duke shtuar se “asnjë vendim nuk është marrë ende për vendosjen e tyre jashtë Shteteve të Bashkuara”.  “Por është e qartë se rusët nuk kanë ndërmend të de-përshkallëzojnë situatën” shtoi ai.

Një raund i ri bisedimesh për krizën në  Ukrainë  do të zhvillohet të mërkurën, më 26 janar, në Paris. Në të do të marrin pjesë katër vende; Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania. Megjithatë, NATO njoftoi më herët se ishte duke përgatitur një “plan parandalues” në Balltik.

Danimarka kontribuon në këtë me një fregatë dhe një F-16 në Lituani. Spanja dërgon katër avionë luftarakë në Bullgari dhe tre anije në Detin e Zi. Franca  është në gatishmëri, si dhe  Holanda  me  dy avionë luftarakë F-35.

NATO “do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur aleatët e saj” tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. “Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë të përbashkët” shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj duke thënë se NATO dhe Shtetet e Bashkuara janë fajtore për përshkallëzimin e tensioneve në Evropë, jo Rusia. Ai i akuzoi ata  për “histeri”, duke komentuar largimin e familjeve të diplomatëve nga ambasadat në Ukrainë. Për më tepër, Moska vazhdon të mohojë se po planifikon një sulm, pavarësisht nga grumbullimi i mijëra ushtarëve.

Në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së, ministri i jashtëm danez tha se “Bashkimi Evropian është i gatshëm të vendosë sanksione ekonomike të paprecedenta nëse Rusia sulmon Ukrainën”./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!