SHBA-Francë, bashkë me qëndrime të kundërta

schedule22:15 - 24 Prill, 2018

schedule 22:15 - 24 Prill, 2018

Pavarësisht miqësisë mes dy vendeve dhe asaj personale, Donald Trump dhe Emmanuel Macron kanë dalë me qëndrime të ndryshme sa i takon çështjes iraniane. Teksa Presidenti amerikan ka ritheksuar qëndrimin kundër marrëveshjes së vitit 2015, ai francez ka bërë thirrje për një pakt të ri.

Ndonëse gjatë konferencës së përbashkët për shtyp shtrënguan përzëmërsisht duart, presidentët Trump dhe Macron kanë dalë me qëndrime të ndryshme sa i takon marrëveshjes iraniane, që ishte dhe fokusi i vizitës së shefit të pallatit Elize në Uashington.

Në fjalën e tij, Trump ka përsëritur se marrëveshja me Teheranin nuk ka asgjë pozitive dhe se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta kishin nënshkruar kurrë atë.

“Është një marrëveshje me themele të shkërmoqura. Nuk duhet të ishte nënshkruar kurrë dhe për këtë fajësoj Kongresin dhe shumë njerëz të tjerë”, ka thënë Trump.

Më tej, presidenti amerikan i ka dërguar një mesazh të qartë regjimit iranian.

“Po e them hapur, nëse Irani na kërcënon në çdo lloj mënyre, atëherë do të paguajë një çmim që vetëm pak vende e kanë paguar”, ka vijuar Trump.

Nga ana e tij, Presidenti Macron, pasi ka vënë në dukje diferencat sa i takon marrëveshjes së vitit 2015 me Republikën Islamike është shprehur optimist se mund të punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje të re.

“Për muaj me radhë e kam thënë se ajo nuk është një marrëveshje e mjaftueshme, por na mundësoi që deri në vitin 2025 të kemi akses në impiantet e tyre bërthamore. Ndaj, tani dëshirojmë të punojmë për një marrëveshje të re me Iranin”, ka thënë Macron.

Në vijim të konferencës, Trump është pyetur edhe në lidhje me çështjen e Koresë së Veriut. Ai ka theksuar se lideri koreano-verior Kim Jong Un është shprehur i hapur për bisedime, por ka rikonfirmuar edhe qëndrimin e tij.

“Ata duhet të heqin qafe arsenalin bërthamor. Kaq e thjeshtë është. Do të ishte fare e lehtë të bënim një marrëveshje dhe të shpallnim fitoren, por unë nuk dua ta bëj këtë. Dua që ata ta asgjesojnë armatimin bërthamor”, ka thënë Trump.

Ndërkohë, kur kanë kaluar më pak se dy javë nga sulmi ajror në Siri, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se do të dëshironte shumë të largohej nga vendi i Lindjes së Mesme, por ka shtuar se do ta bëjë këtë vetëm pasi të ketë përmbushur misionin.

“Sa më përket mua, do të doja shumë të largohesha, të ktheja luftëtarët tanë në shtëpi, pasi kanë bërë një punë të shkëlqyer. Por do ta bëjmë pasi të kemi përmbushur atë që duhet të përmbushim”, ka shtuar Trump.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!