SHBA, demokratët lënë hapur opsionin e inkriminimit të Trump

schedule08:47 - 22 Prill, 2019

schedule 08:47 - 22 Prill, 2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund ta inkriminojnë presidentin Trump pavarësisht se raporti i Robert Myler e çlironte nga akuzat për lidhje me rusët. Demokratët kanë zgjedhur të fokusohen tek dyshimet e tjera që ngriheshin në raport, ato për pengim të drejtësisë.

Demokratët në Kongresin amerikan e kanë lënë të hapur mundësinë e inkriminimit të presidentit Donald Trump, por kanë deklaruar se së pari duhet të kryejnë hetimet e tyre nëse ai ka penguar hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Myler. Liderët e partisë Demokratike kanë saktësuar se opsioni i inkriminimit është ende në fazë bisedimesh përpara zgjedhjeve të vitit 2020, edhe pse eksponentë të spikatur të grupit parlamentar kanë bërë thirrje për nisjen e procedurave që nga publikimi i raportit të Myler, ditën e enjte. Kryetari i komisionit gjyqësor të Kongresit, Xherrold Nedller ka deklaruar se demokratët do të insistojnë për hetime të shumta ndaj figurës së presidentit Trump dhe do të shkojnë aty ku do t’i çojnë provat. “Nëse pengimi i drejtësisë provohet, atëherë do të ketë inkriminim”, ka thënë Nedller. Një version i redaktuar i raportit të Myler, produkt i një hetimi të gjatë 22 muaj, sugjeronte gjerësisht se Trump kishte kryer pengim të drejtësisë, por nuk shkonte drejt rekomandimit të kryerjes së një krimi, edhe pse nga ana tjetër nuk e shfajësonte. Myler vinte në dukje se Kongresi ka kompetencën për të adresuar kontekstin nëse Trump ka shkelur ligjin dhe demokratët kanë paralajmëruar se çështja do të jetë objekt diskutimesh në javët e ardhshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!