SHBA, demokratët denoncojnë tentativën për sulme kibernetike

schedule14:11 - 23 Gusht, 2018

schedule 14:11 - 23 Gusht, 2018

Në Shtetet e Bashkuara rikthehet frika për sulme kibernetike ndërsa afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit. Partia Demokrate ka denoncuar një rast të tillë tek FBI. Sipas forcës politike disa hakerë janë mundur të hyjnë në bankën e të dhënave elektorale.

Tentativë e re për sulme kibernetike në dëm të Partisë Demokrate në Shtetet e Bashkuara. Këtë herë agresioni ka prekur bankën e të dhënave të kësaj force politike, e cila e ka denoncuar menjëherë ngjarjen tek FBI. Megjithatë tentativa ka dështuar dhe nuk dihet ende origjina e aksionit. Lajmi është raportuar nga Uashington Post. Sipas përgjegjësit për Sigurinë në Komitetin Kombëtar Demokrat, Bob Lord, “kjo tentativë është provë e qartë se kërcënimi vijon ndërsa afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit”. “Duhet të qëndrojmë vigjilentë për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen”, thotë ai.

Sipas asaj që raportohet, alarmi është dhënë pas një sinjalizimi të shoqërisë së sigurisë “Lookout” me seli në San Françisko dhe nga furnizuesi i shërbimit të të dhënave “Digital Ocean”. Ishte bërë identifikimi i një faqe hyrëse të Komitetit Kombëtar Demokratik me një skedar fals, të krijuar me qëllim për të nxitur përdoruesit e pavetëdijshëm për të treguar emrin dhe fjalëkalimin e tyre në mënyrë që të mund t’i vidhnin. Ngjarja ka ndodhur dy vite pas ndërhyrjes së atribuuar 12 agjentëve rusë, të cilët mundësuan shpërndarjen e mijëra emaileve private dhe ndërhyrjen në fushatën e kandidates Hillary Clinton. Kjo e fundit për shkak të këtij skandali humbi pikë në garën kundër Donald Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!