SHBA, Britani dhe Australi me nëndetëse me energji bërthamore në përgjigje të Kinës

schedule07:12 - 14 Mars, 2023

schedule 07:12 - 14 Mars, 2023

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Britania zbuluan të hënën detaje të një plani për t’i siguruar Australisë nëndetëse luftarake me energji bërthamore nga fillimi i viteve 2030 për t’iu kundërvënë ambicieve të Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Presidenti Biden tha gjithashtu se pret të bisedojë së shpejti me udhëheqësin kinez Xi Jinping, por nuk tha se kur.

Duke folur gjatë një ceremonie në bazën detare amerikane në San Diego, i shoqëruar nga Kryeministri australian Anthony Albanese dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak, Presidenti amerikan Joe Biden e quajti marrëveshjen e partneritetit AUKUS 2021, pjesë të një angazhimi të përbashkët për një rajon Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, me dy nga “aleatët më të fortë dhe më të aftë” të Amerikës.

Zoti Sunak e quajti këtë “një partneritet të fuqishëm”, duke shtuar: “Për herë të parë tre flota nëndetësesh do të punojnë së bashku përtej Atlantikut dhe Paqësorit, duke i mbajtur oqeanet tanë të lirë… për dekadat e ardhshme”.

Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara synojnë t’i shesin Australisë tre nëndetëse amerikane të klasit Virxhinia me energji bërthamore, të prodhuara nga kompania General Dynamics, në fillim të viteve 2030, me opsionin që Australia të blejë dy të tjera nëse është e nevojshme, thuhet në një deklaratë të përbashkët.
Deklarata thotë se projekti me shumë faza do të arrinte kulmin me prodhimin dhe funksionimin e një klase të re nëndetësesh – SSN-AUKUS – një mjet detar “i zhvilluar në mënyrë trepalëshe” bazuar në një projekt të gjeneratës së ardhshme të Britanisë, që do të prodhohej në Britani dhe Australi dhe do të përfshijë “teknologjitë më të fundit” amerikane.

Britania do të merrte dorëzimin e nëndetëses së saj të parë SSN-AUKUS në fund të viteve 2030 dhe Australia do të merrte të parën në fillim të viteve 2040. Ato do të prodhohen nga kompanitë BAE Systems dhe Rolls-Royce.

“Marrëveshja AUKUS që konfirmojmë këtu në San Diego përfaqëson investimin më të madh të vetëm në aftësinë mbrojtëse të Australisë në historinë tonë, duke forcuar sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e Australisë në rajonin tonë”, tha zoti Albanese në ceremoni.
Një zyrtar australian i mbrojtjes tha se projekti do të kushtonte 245 miliardë dollarë deri në vitin 2055.

Në kuadrin e marrëveshjes AUKUS do të jetë hera e parë që Uashingtoni do të ndajë këtë teknologji bërthamore, që kur e bëri këtë fillimisht me Britaninë në vitet 1950.

Presidenti Biden theksoi se nëndetëset do të jenë me energji bërthamore, jo me armatim bërthamor: “Këto anije nuk do të kenë armë bërthamore të asnjë lloji në bord”, tha ai.

I pyetur gjatë një takimi dypalësh me Kryeministrin britanik Rishi Sunak, nëse ishte i shqetësuar se Kina do ta shihte marrëveshjen AUKUS për nëndetëset si agresion, Presidenti Biden u përgjigj “jo”.

I pyetur nëse do të flasë së shpejti me zotin Xi, Presidenti Biden tha “po”, por pyetjes nëse do t’i tregonte gazetarëve se kur do të takohen, ai iu përgjigj “jo”.

Presidenti Biden tha në mesin e muajit shkurt se priste të fliste me zotin Xi për atë që Shtetet e Bashkuara thanë se ishte një balonë spiune kineze që fluturoi nëpër hapësirën ajrore amerikane, duke përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara, por asnjë telefonatë e tillë nuk është njoftuar.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara dëshironin të rivendosnin komunikimet e rregullta me Kinën dhe Presidenti Biden pritej të fliste me Presidentin kinez Xi me telefon, pasi qeveria e Kinës të jetë rikthyer në punë pas Kongresit të saj vjetor Kombëtar Popullor që përfundoi të hënën.

Marrëveshja AUKUS për të pajisur Australinë me nëndetëse me energji bërthamore synon t’i kundërvihet veprimeve të Kinës në rajonin Indo-Paqësor dhe Pekini e ka dënuar atë si një akt të paligjshëm të përhapjes bërthamore.

I pyetur se kur mund të ndodhë një telefonatë me Presidentin kinez Xi, zoti Sullivan u përgjigj: “Kur Kongresi Popullor të përfundojë dhe qeveria, përfshirë presidentin, të rikthehet në punë në Pekin, presidenti (amerikan) parashikon mundësinë për t’u angazhuar nëpërmjet një telefonate”.

“Gjatë 18 muajve kemi komunikuar me (Kinën) në lidhje me marrëveshjen AUKUS dhe kemi kërkuar më shumë informacion prej tyre për qëllimet e tyre”, shtoi zoti Sullivan, duke iu referuar rritjes së kapaciteteve ushtarake të Kinës, përfshirë nëndetëset me energji bërthamore.
Gazeta Wall Street Journal raportoi të hënën se Presidenti kinez Xi planifikon të flasë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për herë të parë që nga pushtimi rus në Ukrainë. Kjo telefonatë ka të ngjarë të bëhet pas vizitës së zotit Xi në Moskë javën e ardhshme për t’u takuar me Presidentin rus Vladimir Putin, thuhet në artikullin e gazetës.

Zoti Sullivan u tha gazetarëve gjatë udhëtimit për në San Diego të hënën se Uashingtoni e ka inkurajuar publikisht dhe privatisht zotin Xi të bisedojë me zotin Zelenskiy, në mënyrë që të dëgjojë “jo vetëm perspektivën ruse” për luftën.

Zoti Sullivan shtoi se Ukraina nuk pati konfirmuar një telefonatë mes zotit Xi dhe zotit Zelenskiy./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!