Ushtria amerikane kreu të enjten sulme ajrore hakmarrëse në dy lokacione në Sirinë lindore të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit, ka thënë Pentagoni. Sulmet erdhën si përgjigje ndaj një numri sulmesh me dronë dhe raketa kundër bazave dhe personelit amerikan në Irak dhe Siri që nga 17 tetori.
Sipas Pentagonit, ka pasur të paktën 12 sulme ndaj bazave dhe personelit amerikan në Irak dhe katër në Siri që nga java e kaluar. Gjenerali i Forcave Ajrore, Pat Ryder tha se 21 personel amerikan u plagosën në dy nga ato sulme që përdorën dronë për të shënjestruar bazën ajrore al Asad në Irak dhe Garnizonin al Tanf në Siri.
Operacionet u njoftuan pas mesazhit të presidentit amerikan Joe Biden drejtuar liderit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei, duke e paralajmëruar atë kundër çdo sulmi ndaj trupave amerikane, mes shqetësimeve të shtuara për përhapjen e luftës midis Izraelit dhe Hamasit që ka nisur që në fillim të Tetorit.
Në një deklaratë, sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se sulmet janë një “përgjigje ndaj një serie sulmesh të vazhdueshme dhe kryesisht të pasuksesshme” nga grupet militante të mbështetura nga Irani.
Ai tha se presidenti Joe Biden drejtoi sulmet e përshtatura ngushtë “për të bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme të tilla dhe do të mbrojnë veten, personelin dhe interesat e tyre”. Ai shtoi se operacioni ishte i ndarë dhe i dallueshëm nga lufta e Izraelit kundër Hamasit.
Megjithëse SHBA-ja nuk e ka akuzuar Iranin se ka një rol të drejtpërdrejtë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit, ajo ka vënë në dukje se Irani e ka mbështetur prej kohësh grupin terrorist. Po kështu, zyrtarët iranianë kanë kritikuar hapur SHBA-në për sigurimin e Izraelit me armë që janë përdorur për të goditur Gazën./abcnews.al