Dy anëtarë të një celule famëkeqe të Shtetit Islamik, të cilët dyshohet se qëndrojnë pas ekzekutimeve publike me prerje koke të pengjeve perëndimorë në Siri në mes të viteve 2010 janë transferuar në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar nën akuzat për terrorizëm, njoftuan zyrtarët amerikanë të mërkurën.
Të dy personat nga Britania, Alexanda Amon Kotey, 36 vjeç dhe El-Shafee Elsheikh, 32 vjeç, dyshohet se i përkisnin një celule prej katër personash të luftëtarëve të Shtetit Islamik në Siri të quajtur “Beatles” që kryen ekzekutime tronditëse në video të gjashtë pengjeve amerikane dhe të tjerëve nga vendet perëndimore në vitet 2014 dhe 2015.
Kreu i dyshuar i tyre, Mohammed Emwazi, një britanik i lindur në Kuvajt, i njohur me nofkën “Jihadi John”, u vra në një sulm me dronë amerikanë në Siri në nëntor 2015. Një anëtar i katërt u arrestua më pas në Turqi, ku u gjykua dhe u dënua nën akuzat e terrorizmit.
Kotey dhe Elsheikh u mbajtën në Irak dy vitet e fundit pas kapjes së tyre nga forcat kurde të Sirisë të mbështetura nga SHBA në vitin 2018. Transferimi i tyre i shumëpritur vjen pasi Prokurori i Përgjithshëm William Barr siguroi autoritetet britanike në muajin gusht se SHBA nuk do të kërkonte dënimin me vdekje ndaj tyre, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje dy-vjeçare midis autoriteteve amerikane dhe britanike.
Kotey dhe Elsheikh, të dy ish-shtetas britanikë të cilëve u është hequr shtetësia, pritej të dilnin në gjykatën federale në Aleksandria të Virxhinias gjatë ditës së mërkurë.
“Këto akuza janë produkt i shumë viteve të punës së palodhur në kërkim të drejtësisë për qytetarët tanë të vrarë nga ISIS-i,” tha zoti Barr. “Megjithëse nuk mund t’i rikthejmë ata, ne mund dhe do të kërkojmë drejtësi për ta, familjet e tyre dhe për të gjithë amerikanët,” tha ai.
Celula në fjalë dyshohet se ishte përgjegjëse për ekzekutimet e gazetarëve amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff dhe punonjësit amerikan të ndihmave Peter Kassig, i njohur gjithashtu si Abdul Rahman Kassig. Një tjetër punonjëse amerikane e ndihmave, Kayla Mueller, u vra në rrethana të panjohura.
Sot, ne kujtojmë viktimat, Jim Foley, Steven Sotloff, Peter Kassig dhe Kayla Mueller, dhe familjet e tyre që u preken përgjithmonë nga këto akte të pakuptimta dhune,” tha Drejtori i FBI-së Christopher Wray. “Këto familje kanë vuajtur me humbjen e dhimbshme të të dashurve të tyre nga duart e vrasësve brutalë; akuzat e sotme tregojnë përkushtimin e FBI-së për t’u dhënë atyre drejtësinë e merituar.”
Viktimat e tyre përfshinin shtetas britanikë dhe japonezë. Sipas një padie të hapur për publikun të mërkurën, të katër militantët morën pjesë në rrëmbimin e pengjeve perëndimorë në Siri nga viti 2012 në 2015.
Nga gushti 2014 deri në tetor 2014, ISIS-i publikoi video që tregonin ekezkutimin me prerje koke të amerikanëve Foley dhe Sotloff si dhe të dy shtetasve britanikë. Një video e nëntorit 2014 përshkruante prerjen e kokës së zotit Kassig. Kjo u pasua nga videot e janarit 2015 të dy pengjeve të vdekur japonezë.
Nëse shpallen fajtorë, Kotey dhe Elsheikh përballen me dënimin maksimal burgim i përjetshëm./VOA