SHBA, 12 mijë viza speciale shtesë për afganët që punuan me misionin amerikan

schedule13:12 - 27 Mars, 2024

schedule 13:12 - 27 Mars, 2024

Ligjvënësit amerikanë kanë përfshirë 12,000 viza speciale imigrimi shtesë për afganët që mbështetën misionin amerikan në Afganistan. Programi do të zgjasë deri në fund të vitit 2025 dhe është pjesë e shpenzimeve buxhetore amerikane prej 1.2 trilionë dollarësh.

Ndërsa mbështetësit e vizave për afganët e përshëndetën lajmin, ata thonë se kërkesa e tyre ishte për 32,000 viza shtesë për afganët që rrezikuan jetën në shërbim të misionit amerikan në Afganistan.

Presidenti Joe Biden e nënshkroi në ligj buxhetin të shtunën vetëm disa orë pas miratimit nga Kongresi, duke shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë.

Krish O’Mara Vignarajah, drejtues i agjencisë për zhvendosjen e refugjatëve “Global Refugee”, vlerësoi përmes një deklarate bashkëpunimin mes dy palëve në Kongres.

“Por është thellësisht shqetësuese që u desh që administrata e Presidentit Biden dhe Kongresi të gjendeshin në prag të mbylljes së qeverisë për të ndërmarrë veprime”, tha ai.

Programi i Vizave Speciale Emigruese ofron 38,500 viza dhe është i autorizuar nga Kongresi. Programi ofron për përfituesit e tij mundësinë e qëndrimit të përhershëm dhe përfundimisht mund të çojë në marrjen e shtetësisë amerikane.

Procesi i aplikimit për vizat speciale të emigrimit, përfshirë vendimmarrjen dhe miratimin, zgjat mesatarisht tre vjet, ndërsa zhvendosja përmes programit të refugjatëve mund të zgjasë deri në pesë vjet. Aplikimet për secilin program fillojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate u tërhoqën nga Afganistani në gusht të vitit 2021 pas gati 20 vitesh luftë, duke evakuuar rreth 130,000 njerëz në javët kaotike të tërheqjes nga Kabuli. Rreth 88,500 shtetas afganë mbërritën në Shtetet e Bashkuara dhe u vendosën në komunitete anembanë vendit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!