Sfumohet aksioni i Prokurorisë dhe Policisë për ARRSH Durrës, Gjykata liron dy prej të arrestuarve

schedule18:39 - 16 Tetor, 2020

schedule 18:39 - 16 Tetor, 2020

Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë dy nga zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, të arrestuar gjatë  operacionit ”Bypass”, ndërsa nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë ”arrest në shtëpi” për një të tretë.

Lekë Tushaj, drejtor drejtorie pranë ARRSH, Kastriot Braha, inxhinier në ARRSH dhe Agron Hasa, inxhinier (arrest shtëpie) u arrestuan të mërkurën në kuadër të operacionit policor ”Bypass”.

Të mërkurën, policia ekzekutoi masat e sigurisë ndaj 3 personave dhe shpalli në kërkim 6 të tjerë.

Lexo edhe: Mori jetën e dy fëmijëve, abuzimi me tenderat e rrugëve shkaktoi 16 aksidente të rënda

Shtatë prej personave nën hetim janë zyrtarë të ARRSH-së dhe akuzohen për ”shpërdorim detyre” në bashkëpunim, ndërsa dy të tjerë janë ndërtues dhe akuzohen për ”Dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm”.

Gjykata e Durrësit, përfaqësuar nga gjyqtari Petraq Curri, në seancën për vleftësimin e masave të sigurisë vendosi sot ”detyrim paraqitjeje” për Tushajn dhe Brahajn, duke i liruar në sallën e gjyqit, ndërsa la ”arrest në shtëpi” inxhinierin Hasa.

Teksa policia e Durrësit ka deklaruar se vijon punën për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, që lidhet me ndërtimin e një pike furnizimi me karburant në autostradën Plepa – Kavajë, gjykata ndryshon masën e sigurisë për të arrestuarit e deritanishëm të prokurorisë dhe policisë.

Lexo edhe: Dhanë leje për karburantin “vrasës”, zbardhen emrat e zyrtarëve të shpallur në kërkim në Durrës

Hetimet nisën pas një sërë aksidentesh të regjistruara në afërsi të pikës së karburantit të ndërtuar duke cenuar barrierat dhe devijuar projektin e autostradës me pretendimin se rruga kalon në tokë private.

Në kërkim:

Dhurata Lazaj, inxhiniere në ARRSH

Afërdita Basha,  inxhiniere ARRSH

Spartak Tarkaj, zyrtar i lartë ARRSH

Astrit Zenelaj, zyrtar i lartë ARRSH

Rezart Arkaxhiu, ndërtues

Xhevat Vataksi, ndërtues

n.d./abcnews.al