TIRANË- Kryeministri Edi Rama në fillim të nisjes së sesionit të ri parlamentar vendosi të ndryshojë disa emra në kabinetin qeveritar. Kjo temë u diskutua në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla në ABC News.
Analisti dhe gazetari i njohur Skënder Minxhozi, tha se personalisht do donte të shihte tek disa ministri emra, të cilët kanë një profil të fortë politik siç është Ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Nuk kam asgjë me ministrat e financave dhe atë të jashtëm. I vlerësoj si teknicienë në fushën e tyre. Duke tejkaluar emrat, ministrat teknicienë në parim janë produktet të momenteve të vështira numerike në Parlament, janë produkte mazhorancash të rrezikuara, sepse ti kërkon të dalësh përtej numrave të tua. Unë do të mendoja se në institucionin e financave dhe në MEPJ, në institucionin e Mbrojtjes, dhe në Ministrinë e Brendshme do të doja të shihja që mazhoranca të merrte përgjegjësi direkte duke çuar persona me pushtet politik, mundësisht edhe të votuar”, tha ai.
Gjatë bisedës në studio fokusi u vendos tek zgjedhja e ministrit të Jashtëm, Igli Hasani. Analisti Frrok Çupi theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme akoma nuk është themeluar, në sensin që nuk është në lartësinë e nevojave të kohës, në përballjen e çështjeve.
“Kam këtë mendim, sidomos në diplomaci, mendoj se është një nga kolonat më të rëndësishme të shtetit. Diplomacia bëhet priroritare brenda të gjitha kolonave të shtetit. Ministria e Jashtme tek ne akoma nuk është themeluar si institucion, sepse ne akoma nuk kemi ministër të jashtëm të vërtetë”, tha ai./ n.m.abcnews.al