Sfidat e inteligjencës artificiale/ Ekspertët: Duhet bashkëpunim arsim-biznes për përgatitjen e të rinjve

schedule20:30 - 19 Janar, 2024

schedule 20:30 - 19 Janar, 2024

TIRANË– Bota po përgatitet për të futur në përdorim në shkallë të gjerë Inteligjencën Artificiale, një praktikë kjo, e cila sipas ekspertëve do zë përdorim të gjerë në jetën e përditshme.

Të ndodhur përballë kësaj fryme të re ndryshimesh, si duhet të veprojë Shqipëria dhe sa gati është ajo për të “luajtur” në mënyrë dinjitoze, përballë nevojave dhe sfidave të kësaj kohe?

Eksperti i Teknologjisë dhe Informacionit, Tomi Kallanxhi, i ftuar në emisionin dedikuar ekonomisë “Sheshi i Dollarit”, tha se para se t’i qasemi inteligjencës artificiale, Shqipëria së pari duhet të investojë shumë te pjesa e edukimit.

Sipas tij, kjo qasje duhet të nisë që në shkolla dhe më pas “artileria e dijeve” të shpërndahet te të gjithë sektorët e tjerë.

“Duhet nisur që nga edukimi. Duhet bashkuar Universiteti Politeknik, me fasonin, sepse gjërat janë të palidhura. Nëse ne nuk bashkojmë këta individë dhe të krijojmë  grupe, pastaj AI . Kjo është gjëja e parë që duhet të jetë. Në Universitete shqiptare harxhohet më shumë para për roje se për kërkimin. Ne nuk kemi ekipet brenda universiteteve. Duhet të krijojmë garë”, tha ai.

Po ashtu, të njëjtin qëndrim ndau edhe specialisti i teknologjisë Erjon Nako. Ai theksoi se arsimi duhet të bashkëpunojmë ngushtë me biznesin, të investojnë, me qëllim përgatitjen e njerëzve, të cilët më pas do aplikojnë dhe do shtrijnë me sa më shumë sukses frymën e teknologjisë. Ky edukimi shtoi ai do t’i shërbejë të ardhmes dhe ekonomisë së qytetarëve.

“Tendenca është pozitive, por duhet kohë të përshtatemi. Mirë është të shmangim sa më shumë ndërhyrjen e njerëzve. Përdorimi i AI do ulë aksesin e dorës humane. Duhet të ngremë sisteme të mirëpërgatitura. Tendencat janë të mira janë të mira. Ajo lexon qindra mijë rreshta për legjislacionin. Duhet kohë për të ngritur strukturën në gjuhën shqipe. Kompanitë duhet ta kthejnë vëmendjen në këtë punë, sepse do ngelen mbrapa. Duhet të nxjerrim studentët në ballë, por studentët s’i kemi ende atje. Ne duhet t’i rrimë afër biznesit, biznesi nuk vjen te shkolla, i zhgënjyer mbase, sepse ka ardhur njëherë, ka ardhur dy herë dhe s’ka gjetur zgjidhje. Këto realitete që ndodhin në botë, duhet të kthehen me këmbë në tokë në Shqipëri”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al