Kategoria e Parë nisi ditën e djeshme, ndërkohë që Sektori i Garave në FSHF ka vendosur për datat dhe oraret e përballjeve të javës së dytë. Shumica e ndeshjeve do të zhvillohen ditën e shtunë dhe dy prej tyre do të transmetohen edhe në TV, në RTSH sipas marrëveshjes që qeveria e futbollit në vend ka bërë. Orari është i njëjtë për të gjitha sfidat: 14:00.
Njëra prej tyre është Partizani B-Besëlidhja, e grupit A. Lezhjanët duan Superioren, kurse të kuqtë janë në shërbim të ekipit të parë. Të shtunën në program janë edhe sfida si Oriku-Erzeni dhe Veleçiku-Korabi, me vendasit që duan fitoret e parë në shtëpi. Sfida e fundit e këtij grupi është Vora-Burreli, që luhet të dielën.
Në grupin B, Egnatia-Lushnja është konsideruar ndeshja më e rëndësishme dhe është veçuar të luhet ditën e diel. Sigurisht ajo është edhe përballja që do të transmetohet në TV. Të shtunën do të luhen edhe dy sfida të tjera, duke pasur parasysh tërheqjen nga gara të Luftëtarit.
Në fushë do të zbresë Tomori, që pret në Berat skuadrën e Elbasanit. Ekipi i drejtuar nga Bledar Sinella luan sfidën e parë në kampionat, pasi javën e parë ishte pushim. Takim tjetër interesant i kësaj jave është ai mes Besës dhe Pogradecit, që luhet të shtunën. /abcnews.al