Sfida delikate me Laçin, Kupa dhe rasti i Qardakut: Flet Edi Martini

schedule17:19 - 2 Qershor, 2020

schedule 17:19 - 2 Qershor, 2020

Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka folur në konferencë për shtyp para sfidës kundër Laçit, sfidë që do të luhet nesër në Kurbin në orën 17:00. Para kësaj ndeshje delikate, Martini preku disa tema, duke treguar gjendjen e skuadrës së tij, objektivat që “Djemtë e Detit” kanë deri në fund të sezonit, si dhe dha një koment për rastin pozitiv me COVID-19 te Bylis.

“Dua të them se skuadra është në formë të mirë, jemi stërvitur, kemi punuar shumë. Gjithsesi, ekipi nuk është akoma në 100%. Tani shpejt na janë afruar dhe dy lojtarë si Avdyli dhe Hrejlic. Por nuk janë akoma në kondicionin e duhur, kanë nevojë për kohën e tyre. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit janë në formë të mirë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Unë e kam theksuar dhe më përpara, në këtë kampionat nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Ne jemi ekipi që e kemi pësuar me Luftëtarin dhe Flamurtarin. Kështu që i shohim ndeshjet si të gjithë ndeshjet e tjera. Unë nuk them që do të presim ndryshime, do të jenë ato lojtarë që kanë qenë para ndërprerjes. Ata do të jenë në formacionin e parë, por ne jemi një skuadër dhe të gjithë do të jenë të nevojshëm.

Alternativat? Kemi pak probleme, të them të drejtën. Ne si pak ekipe në Shqipëri, kemi shumë lojtarë nga ekipi i të rinjve. Stolin nuk e kemi aq të fortë sa ekipet e tjera. Gjithsesi, puna që kanë bërë lojtarët e rinj, por dhe pjesa tjetër e skuadrës, me bën optimist se do t’ia dalim për objektivat që kemi.

Ne kemi bërë një kampionat të mirë mendoj unë. Kemi bërë gabime që nuk duhet t’i kishim bërë. Nuk ka vend për rimëkëmbje, por të luajmë siç kemi luajtur dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Objektivi ynë është Europa dhe vazhdoj t’i qëndroj kësaj.

Është shumë komplekse (problemet në sulm). Ne sulmojmë bashkë dhe mbrojmë bashkë. Kështu që nuk pres nga një lojtar që të shënojë golin (Hebaj). Mendoj që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën. Kupa e Shqipërisë? Është një objektiv i joni, mendojmë dhe besojmë se do ta fitojmë. Është ende rrugë e gjatë, do i marrim ndeshjet një e nga një. Rasti pozitiv te Bylis? Sa më tepër kalon një puna e COVID, fillojmë e qartësohemi. Pjesa më e madhe edhe tek ekipi jonë, ka pasur probleme para pak muajsh. Mendoj se e kemi kaluar pjesën më të vështirë. Nuk mendoj se do të jetë problem për ecurinë e kampionatit./abcnews.al