Sessions merret në pyetje për lidhjet Trump – Rusi

schedule20:55 - 23 Janar, 2018

schedule 20:55 - 23 Janar, 2018

Hetimeve që po zhvillohen për të hedhur dritë mbi lidhjet e përfolura mes Donald Trump dhe Moskës nuk u ka shpëtuar as Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara. Jeff Sessions është marrë për disa orë në pyetje nga grupi hetimor i drejtuar nga ish-shefi i FBI-së, Robert Mueller.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, është marrë në pyetje nga hetuesit, që po përpiqen të hedhin dritë mbi lidhjet e mundshme mes Donald Trump dhe Rusisë gjatë fushatës elektorale.

Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit seanca e marrjes në pyetje është zhvilluar të mërkurën e kaluar. Aktualisht, hetimet mbi lidhjet e përfolura të stafit elektoral të Trump dhe Moskës po drejtohen nga ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller.

“New York Times” bën me dije se është hera e parë që një anëtar i kabinetit të presidentit merret në pyetje.
Sipas gazetës prestigjoze, Sessions ka dhënë llogari përpara hetuesve për disa orë, edhe pse ndaj tij nuk ishte bërë një thirrje zyrtare. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se po bashkëpunon me grupin hetimor. Por e pyetur nga mediat, zëdhënësja Sarah Sanders nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse marrja në pyetje e Sessions kishte qenë temë e një diskutimi mes tij dhe presidentit dy ditë para seancës.

Vetë kryeprokurori njoftoi në lidhje me hetimin e nisur në mars të 2017-s se do të shfuqizonte veten nga çdo kompetencë nëse do të thirrej për të dëshmuar. E ndërkohë që klasa politike në Amerikë, përfshirë republikanët që vlerësuan këtë zotim të tij, vetë Trump rikonfirmoi mbështetjen për Prokurorin e Përgjithshëm, duke thënë se do të donte që ai të mos bënte një shfuqizim të tillë./abcnews.al