Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në përfundim të takimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS.
Rama u shpreh se ky vit dhe viti i ardhshëm pritet të kenë një ngarkesë në Kuvend edhe për shkak të procesit të negociatave dhe çështjeve që duhen shqyrtuar.
“Dua të bëj një vlerësim të posacëm për kryetarin e grupit nuk është një rol bujar. Pasi duhet të merret me disiplinën organizimin e prezencën. Në gjithë diskutimet doli në pah edhe angazhimi dhe përkushtimi i deputetëve dhe deputeteve që janë për herë të parë në grupin tonë parlamentar dhe shpresoj të vazhdojnë në këtë drejtim. Tani, një gjë është e qartë ky vit që nis dhe viti i ardhshëm do kenë ngarkesë si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe si asnjëherë më pas. Na duhet të kalojmë ligje, por edhe të jemi sa më cilësor në këtë proces. Kjo shton nevojën për të shtuar angazhimin, punën dhe rritjen e seancave në këtë proces. Mbase mund të konsiderohet përfshirja në kalendar seanca vetëm për procesin e negociatave. Janë seanca që kërkojnë përqendrim dhe numër prezence. Ky proces kërkon edhe një shërbim administrativ të kuvendit më cilësor dhe kemi folur për reformën e brendshme në kuvend prej disa vitesh dhe janë bërë disa hapa”, tha Rama.


