Para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi iu ka nisur një letër kryetarëve të partive parlamentare dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore ku adreson një kujtesë mbi disa çështje të përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve si edhe të Kodit Zgjedhor.
Kryekomisioneri kërkon rregullimin e herësit, shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, pasi krijon boshllëk në rregullin për shpërndarjen e mandateve të deputetit të fituara nga një parti e caktuar.
“Shfuqizimi i kësaj pike të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, krijon një boshllëk në rregullin për shpërndarjen e mandateve të deputetit të fituata nga një parti, apo një koalicion partish pjesëmarrëse në zgjedhje.Në këtë rrethanë, çmoj se Kuvendi i Shqipërisë duhet të vlerësojë mbi nevojën e plotësimit të boshllëkut ligjor të krijuar nga vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese.”, thuhet në letër.
Një tjetër pikë që ndalet është edhe vota e emigrantëve, ku thuhet se votimi nga jashtë nuk mund të realizohet nëse Kuvendi nuk do të plotësojë boshllëqet në Kodin Zgjedhor në lidhje me këtë votim të evidentuar nga Gjykata Kushtetuese.
Po ashtu, Celibashi thekson se administrimi i zgjedhjeve në nivelet e dyta dhe të treta nga administratorë zgjedhor të caktuar, apo të përzgjedhur vetëm nga partitë politike, ka cënuar standardin teknik të përgatitjes dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore, si dhe besimin në to.
“ODIHR, por edhe vëzhgues vendas kanë rekomanduar ndryshimin e përbërjes vetëm partiake të komisioneve zgjedhore në këto nivele. KQZ çmon se konsiderimi pozitiv i këtij rekomandimi duke zhveshur partitë, të paktën pjesërisht, nga e drejta absolute për të caktuar administratorët zgjedhorë në nivelet e dyta dhe të treta të administrimit, do të ndihmonte në krijimin e një trupe administratorësh profesionistë, të mirëtrajnuar dhe me integritet”, thuhet më tej në letër.
Rekomandohet gjithashtu zgjerimi i votimit elektronik.
“Bazuar në eksperiencën e përftuar ngha përdorimi i votimit elektronik deri tani, KQZ ka rekomanduar zgjerimin e këtij votimi vetëm në disa njësi zgjedhore (qarqe) për zgjedhjet e ardhshme për kuvendin e Shqipërisë”.
/abcnews.al