Tjetër skandal racizmi në futbollin italian. Një analist televiziv u shkarkua nga puna pasi ofendoi sulmuesin e Interit, Romelu Lukaku.
E kuptoi tepër shpejt se ku kishte ardhur. Romelu Lukaku u ofendua në mënyrë raciste, ndërsa luante për Interin në fushën e Kaljarit, por ky trajtim nuk do t’i vinte vetëm nga tifozët kundërshtarë.
Një skandal edhe më i madh ndodhi së fundmi, me një analist italian që bëri komente raciste për sulmuesin belg.
Luçiano Pasirani deklaroi në ekranin e televizionit “Top Kalço 24” se “Lukaku është kaq i fortë, saqë për ta rrëzuar duhet t’i hedhësh 10 banane”, pra duke e krahasuar me një majmun.
Pasirani kërkoi falje më pas, por kjo mjaftoi që drejtuesit e televizionit ta largonin nga puna.
Bëhet fjalë për një 80-vjeçar, që ka mbi 50 vjet që është I lidhur me futbollin.
Për këtë arsye, paneli I Premier Ligës angleze, komentoi në Tuiter se “problemet me racizmin janë shumë të thella në Itali”.
Jo vetëm kaq, por Lukaku pati kundër edhe tifozët e tij, ata të Interit, që disa ditë më parë mbrojtën tifozët e Kaljarit pas ofendimit që I bënë sulmuesit të tyre.
“Ajo që ndodhi ishte një mënyrë për të të trembur, dhe nuk ishte racizëm”, – deklaruan ultrasit.
Racizmin e ndjeu këtë fundjavë edhe lojtari i Milanit, Kesi, që u ofendua nga tifozë të Veronës, në ndeshjen e Serisë A. /ABC News Albania 24/7