Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se ka bërë një seri ndryshimesh me administratorët, me drejtorët e përgjithshëm në bashkinë e Tiranës.
Në një interviste për emisionin “Real Story”, në ABC News, ai u ndal te sulmet ndaj bashkisë, ku tha se ka njerëz mediatikë që kërkojnë gjëra të paligjshme.
Më tej Veliaj tha se ky është një moment reflektimi për të, bashkinë, ndërsa shtoi “kreu i bashkisë është dëshmitar si vijnë në zyrën e bashkisë dhe kërkojnë gjëra të paligjshme, dhe në momentin e parë kur dikush 3 nga 300 drejtorët po hetohet, nuk janë dënuar, e shfrytëzojnë si një mundësi për të larë një borxh, po unë s’i kam borxh njeriu”.
“Ne na duhet që ndoshta dhe po e diskutojmë brenda bashkisë, kam bërë një seri ndryshimesh me administratorët, me drejtorët e përgjithshëm me një pjesë të madhe të stafit politik, me nënkryetarët e bashkisë kemi komplet një skuadër të re nënkryetarësh dhe ajo që kam kërkuar është një kompani duhet të bëjë sic e bëjnë politikanët, një vetëdeklarim. Në momentin që në bëjmë një ligj dhe do deklarosh se ti do e marrësh përsipër këtë punë, pavarësisht se je ulur do deklarosh që s’ke asnjë lidhje asnjë kontakt. Por për të dhënë një kontekst, këtu nuk bëhet fjalë që punë nuk janë bërë, të gjithë punët janë bërë. Po diskutohen 5-6 praktika në 1 mijë, pra më pak se 1% në totalin e vet.
Megjithatë ambicia ime nuk është të jem 99% i suksesshëm, ambicia ime është që Bashkia e Tiranës të jetë 100% e suksesshme. Kur kam bërë daljen e fundjavës, është një gjë që kam reflektuar unë, pati një mbështetje të kryeministrit. Në sensin që ky është një kantier i madh ndërtimesh, punësh, ku njerëzve iu duhet thënë që për punë që janë bërë mirë duhet me iu heq kapelen se janë bërë punë të jashtëzakonshme është kollaj të shkosh në TV dhe të linçosh disa njerëz në ditën që iu shket këmba, por nuk duhet harruar si u bë Astiri, bulevardi, si u pastrua liqeni, Unaza e madhe, si u bënë 40 shkolla secila prej tyre është një minibetejë. Është mëse e ndershme të thuash 99 gjëra këto çuna i kanë bërë, i kanë qarë dhe meritojnë respekt, te kjo gjëja këtu ka një pikëpyetje të madhe që do duhet ta sqarojmë dhe që unë besoj që sic e ka bërë PS dhe kryeministri këtë distancim për të thënë jo, ne nuk hedhim njeri poshtë autobusit. Për 99 punë këtyre çunave, këtyre ministrave, deputetëve iu themi shumë faleminderit dhe bravo ju qoftë se keni bërë punë të mëdha, por ka një punë që meriton një pikëpyetje kjo meriton që të investigohet dhe ne nuk jemi studio avokatie. Këto muhabetet janë për 1% të popullsisë, për portale që s’kanë marrë leje ndërtimi. Se të dish me ca kërkesash vijnë autorët e këtyre portaleve që duan të bëjnë pallat brenda Kopshtit Zoologjik.”, tha Veliaj.
Më tej u shpreh se prokuroria po bën punën e vet dhe se kjo ngjarje duket një mbidozë mediatike , referuar arrestimit të drjtorëve të Bashkisë Tiranë.
“Gjykoj se prokuroria po bën punën e vet, qeveria dhe bashkia me këtë distancë sterile duke mbështet prokurorinë dhe duke i kërkuar kolegëve që të sqarojnë këtë punë në privatësinë e tyre po bën punën e vet dhe më duket një mbidozë mediatike që përkon me njerëz që unë i kam pas në zyrë dhe kërkojnë gjëra të paligjshme. Patjetër për mua është një moment reflektimi, patjetër reflektimi për bashkinë, patjetër ne duhet të sigurohemi që jo 99 % po 100 % e gjërave të jenë të sakta, është moment reflektimi edhe për një vetting në operatorët mediatikë të cilët edhe në pjesën më të madhe, po ta them në vetë të parë, kreu i bashkisë është dëshmitar si vijnë në zyrën e bashkisë dhe kërkojnë gjëra të paligjshme, dhe në momentin e parë kur dikush 3 nga 300 drejtorët po hetohet, nuk janë dënuar, e shfrytëzojnë si një mundësi për të larë një borxh, po unë s’i kam borxh njeriu. I kam borxh vetëm atyre që më kanë votuar, por edhe atyre që nuk më kanë votuar, sepse si minimum duhet ti respektoj që u çuna në mëngjes dhe shkuan. Por për këta që fundjavën e zgjedhjeve janë nëpër resorte dhe që vënë gjoba dhe kërkojnë gjëra të pandershme në bashki dhe të paligjshme, janë gati të bëjnë një histeri dhe një furtunë.”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. /abcnews.al