“Zija e Serbisë, e dënueshme”, Rama thirrje për SHBA dhe BE: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!

schedule14:01 - 26 Shtator, 2023

schedule 14:01 - 26 Shtator, 2023

Kryeministri shqiptar dënon vendimin e Serbisë për shpalljen e disa ditëve zie. Edi Rama thotë se ky është një sinjal i dënueshëm dhe i papranueshëm.

Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!

Sipas Ramës, Serbia duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, por në vend të kësaj Beogradi po i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!

Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90.

Kryeministri Rama vendosë përpara përgjegjësisë aleatët e mëdhenj, të cilëve ju përsërit apelin për një ndërhyrje vendimtare.

Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim . Apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!

Në fund një thirrje për politikën e Kosovës.

Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti!

Cdo rrugë tjetër, thotë Rama do ta largojë Kosovën nga qëllimi madhor dhe do e kthejë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës./abcnews.al