Serbia refuzon vizitën e ministrit të Brendshëm të Kosovës në Luginën e Preshevës

schedule11:14 - 4 Janar, 2024

schedule 11:14 - 4 Janar, 2024

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet në Serbi i kanë refuzuar kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës.

Sveçla ka thënë se kërkesa i është refuzuar pa arsyetim dhe se “ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”.

Përmes një shkrimi në Facebook, më 4 janar, Sveçla ka thënë se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit.

Ai ka thënë se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte përcjellë agjendën në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes dhe realizim të vizitës, “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme”.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar ai.

Sipas ministrit të Brendshëm, ai do të zhvillonte vizita në Preshevë, komunë e banuar me shumicë shqiptare, dhe në Medvegjë e Bujanoc, ku gjithashtu banojnë shqiptarë.

Refuzim të kërkesave të zyrtarëve kosovarë për vizitë në komunat jugore të Serbisë – të banuara me shumicë shqiptare – kishte pasur edhe më parë.

Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në atë që njihet si Lugina e Preshevës.

Refuzimi i kërkesës për vizitë në Serbi kishte ardhur pasi më 23 nëntor Qeveria e Kosovës kishte refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishin deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të rishqyrtojnë qëndrimin për lejimin e vizitave të Petkoviçit në të ardhmen, nëse “ai përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!