Ministria serbe e mbrojtjes konfirmoi fillimin e stërvitjes ushtarake ajrore katër ditore në jug të vendit. Gjatë ditës së hënës janë parë avionë ushtarakë serbë mbi Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Sipas Beogradit kjo është një stërvitje e parashikuar kohë më parë.
Në një moment kur debatet në Serbi dhe Kosovë janë ndezur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, Serbia ka nisur stërvitjet ajrore në jug të vendit. Ministria serbe e Mbrojtjes konfirmoi paraditen e të hënës për fillimin e stërvitjes ushtarake katër ditore. Manovrat ajrore përfshijnë Nishin, rajonet e tjera jugore, përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, të populluara nga shqiptarë etnikë.
Manovrat, sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, janë planifikuar kohë më parë. Megjithatë njoftimi është publikuar në një moment kur autoritetet serbe, ato kosovare dhe ndërkombëtare i druhen një përshkallëzimi të tensioneve në veri të Kosovës për shkak të skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe në very të Mitrovicës.
Frika nga përshkallëzimi i tensioneve detyroi forcat e KFOR-it të shtojnë praninë e trupave të tyre në veri të Kosovës. Prej 4 Gushtit, forcat e NATO-s morën kontrollin pranë liqenit të Gazivodës në kufirin Kosovë – Serbi, por dhe në këtë rast zyrtarisht, përfaqësuesit e KFOR thanë se bëhet fjalë për vetëm për një stërvitje të planifikuar kohë më parë./abcnews.al