Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë të mërkurën se i ka arrestuar tre persona të komunitetit serb, nën dyshimet për kryerje të “krimeve të luftës kundër popullsisë civile”.
“Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se për çfarë krime lufte akuzohen ata.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dy prej tre të arrestuarve janë prej komunave në veri të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut dhe Zveça, shkruan REL.
Lidhur me këto arrestime ka reaguar Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tyre, arrestimet janë të motivuara politikisht.
“Është e qartë se [kryeministri i Kosovës Albin] Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t’i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe, pa përmendur se të ndaluarit akuzohen për krime lufte.