Serbi, nis dialogu i brendshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës

schedule13:54 - 30 Tetor, 2017

schedule 13:54 - 30 Tetor, 2017

E hëna shënon nisjen e dialogut të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës. Bëhet fjalë për vënien në zbatim të idesë së hedhur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç në muajin korrik kur ai bëri thirrje për nisjen e një dialogu për ti dhënë zgjidhje një herë e përgjithmonë konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve për Kosovën. Serbia ka krijuar një grup pune, anëtarët e të cilit do të trajojnë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut me Kosovën. Drejtues i mbledhjes së parë që zhvillohet të hënën është Marko Gjuriç, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Detyra e grupit është që t’u japë mbështetje organeve të shtetit serb që merren zyrtarisht me dialogun me Kosovën dhe më pas monitoron aktivitetet dhe marrëveshjet që dalin nga procesi i bisedimeve. Mediat serbe thonë se grupi ka 13 anëtarë ku përfshihen përfaqësues të të gjitha departamenteve dhe organeve shtetërore që lidhen me Kosovën, të shoqërisë civile dhe sipas kërkesave grupit i bashkohen edhe anëtarë të tjerë nga sfera të ndryshme. Ndër temat kryesore të diskutimit pritet të jenë mekanizmat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe, statusi i ndërmarrjeve shtetërore kosovare – në veçanti ato që konsiderohen kritike për mbijetesën e serbëve në Kosovë siç janë Trepça, Ujmani dhe komplekset e Brezovicës – si dhe ky formim i shumëpritur i Komunitetit të Komunave Serbe. Zyrtarët më të lartë serbë e kanë përjashtuar mundësinë që procesi i dialogut të përmbyllet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Por ideatori i dialogut, presidenti Vuçiç është shprehur më herët se ka ardhur koha që Serbia të heqë mitet që kanë krijuar ndër shekuj për Kosovën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!