Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Senatori italian Della Porta: Italianët, të mirëpritur në Shqipëri. Mbështes nismat Meloni–Rama

schedule22:50 - 14 Janar, 2026

schedule 22:50 - 14 Janar, 2026

Senatori italian i zgjedhur në Molise, Costanzo Della Porta, gjatë një interviste për programin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”, theksoi marrëdhëniet e ngushta mes qytetarëve dhe zgjedhësve të tij, duke vizituar shpesh komunat e Molises, përfshirë ato me komunitete arbëreshe.

Della Porta foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës arbëreshe, duke theksuar se kushtetuta italiane mbron pakicat gjuhësore dhe se një marrëveshje ndërmjet qeverive Rama–Meloni mund të forcojë mbrojtjen e tyre. Ai shtoi se, edhe pse gjuha është mirë e ruajtur në Molise, është e nevojshme të merren masa për pakicat në zona të tjera si Sicilia dhe Calabria, duke theksuar se ruajtja e kulturës lokale është pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Artur Nura: Mirëmbrëma.
Costanzo Della Porta: Mirëmbrëma.



Artur Nura: Atëherë, ju jeni?

Jam Costanzo Della Porta, senator i Republikës Italiane, i zgjedhur në Molise.

Artur Nura: Dhe jo rastësisht keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë në një shkollë, le të themi, kulinarie me prestigj të madh, apo jo?
Costanzo Della Porta:  Po, ndodhemi në Institutin Hotelier “Federico II di Svevia” në Termoli.

Artur Nura: bukur. A takoheni shpesh me zgjedhësit tuaj? Si funksionon, pra, marrëdhënia juaj me ta?

Costanzo Della Porta : Ne kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë me zgjedhësit tanë, me qytetarët, sepse përveç aktiviteteve parlamentare dhe ditëve që jemi në Romë – zakonisht të martën, të mërkurën dhe të enjten – ditët e tjera të javës ia kushtojmë territorit. Pra, takojmë qytetarët tanë. Qarku zgjedhor është shumë i gjerë, sepse përfshin të gjithë Molisen, ndaj duhet të lëvizim mes provincës së Campobassos dhe asaj të Isernias. Duhet kohë për të përshkuar të gjithë territorin dhe është normale që të mos qëndrojmë vetëm në Romë, por edhe këtu, mes njerëzve.

Artur Nura: Por jam informuar se edhe arbëreshët e kësaj zone, katër komuna kryesisht, janë zgjedhës dhe mbështetës tuaj. Është e vërtetë?

Costanzo Della Porta: Po, komunat arbëreshe të Molises janë, ndër të tjera, komuna të Molises së Poshtme, në zonën përreth Termolit: Campomarino, Montecilfone, Portocannone dhe Ururi, të cilat i kemi vizituar disa muaj më parë bashkë me presidentin tuaj Bajram Begaj.

Artur Nura: Bukur.

Ndërkohë, marrëdhëniet italo-shqiptare, për këdo që njeh historinë, nisin që në kohë shumë të largëta, madje edhe antike. Për më tepër, Fratelli d’Italia është tashmë partia e vetme italiane që ka një qendër në Tiranë. Çfarë marrëdhëniesh keni ju personalisht me Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Marrëdhëniet mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare janë shumë të mira: janë marrëdhënie afërsie, miqësie dhe ndarjeje vlerash, sepse populli shqiptar është shumë i lidhur me atë italian. Dua të kujtoj se në momentet e vështira të kombit tuaj, gjatë ndarjes se ssitemeve, Italia ishte vendi i parë që priti qytetarë shqiptarë. Shumë prej tyre kanë mbetur në Itali, punojnë këtu dhe kanë krijuar familjet e tyre. Marrëdhëniet mes nesh dhe popullit shqiptar janë shumë të mira, jo vetëm me shqiptarët që janë transferuar në Itali, por edhe me komunitetet arbëreshe që jetojnë në komunat tona. Kemi një raport shumë të bukur vëllazëror dhe është sikur të ishim një popull i vetëm, pa ndarje mes nesh.

Artur Nura: Me të drejtë. A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Jo, dhe për fajin tim ende jo. Jam ftuar disa herë, por për arsye institucionale nuk kam arritur të shkoj. Kam folur edhe me kolegë të tjerë për këtë. Me siguri këtë vit do të bëj me shumë kënaqësi një vizitë në Shqipëri.

Artur Nura: Eh, e dini që jemi shumë afër. Ka nga ata që e quajnë Shqipërinë rajoni i 21-të; dhe për këtë kam disa rezerva…

Costanzo Della Porta: Është e drejtë, sepse duhet të garantoni autonominë dhe pavarësinë tuaj. Por përtej idesë së “rajonit të 21-të”, Shqipëria është një komb, një shtet shumë pranë Italisë dhe është sikur të ishim një popull i vetëm.

Artur Nura: Ju e dini se sot nuk ka më një emigrim shqiptar drejt Italisë, por përkundrazi, një emigrim italian drejt Shqipërisë.

Costanzo Della Porta: Kjo është diçka pozitive: do të thotë që nuk i keni më problemet e disa dekadave më parë dhe që italianët duan të investojnë në Shqipëri. Besoj se italianët janë shumë të mirëpritur në Shqipëri, pikërisht për shkak të kësaj vëllazërie të madhe mes dy popujve. Mendoj se populli shqiptar i mirëpret italianët më shumë se popujt e tjerë evropianë.

Artur Nura: Me të drejtë. Si do ta vlerësonit titullin e emisionit tim: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë? A është ende aktual?

Costanzo Della Porta: Është ende aktual, sepse Roma është Caput Mundi, djepi i krishterimit dhe i qytetërimit. Unë e frekuentoj Romën çdo javë, ndaj për mua rrugët vërtet të çojnë në Romë. Më pëlqen shumë që emisioni juaj quhet kështu, sepse tregon lidhjen mes popullit tuaj dhe kryeqytetit tonë, pra mes jush dhe Italisë. Me të drejtë.

Artur Nura: Roma është padyshim qendër nga pikëpamja historike dhe urbanistike, por e kam zgjedhur këtë titull sepse mendoj se Italia është e rëndësishme. Unë e konsideroj publikisht si një vëlla të madh dhe, kur vëllai i madh nuk është mirë, mendo për motrën e vogël, në këtë rast Shqipërinë…

Costanzo Della Porta: Italianët kanë qenë dhe janë ende një popull shumë solidar. Jemi një popull mikpritës, kemi kaluar vështirësi dhe e dimë çfarë do të thotë të ringrihesh nga hici. E kemi bërë për veten tonë dhe e bëjmë edhe për vëllezërit tanë që kanë qenë më pak fatlumë. Sot, fatmirësisht, ata jetojnë më qetë, por kur ka pasur nevojë, Italia ka qenë gjithmonë e pranishme.

Artur Nura: Të vijmë te thelbi. Nuk ju pyeta rastësisht për arbëreshët dhe për Shqipërinë. Marrëdhëniet tona janë shumë të pasura dhe, si gazetar që prej 25 vitesh ndjek marrëdhëniet italo-shqiptare për Radio Radicale, kam vërejtur se gjuha Arbereshe, që është identitare për pakicën historike arbëreshe në Itali, rrezikon të zhduket. Sipas disa ekspertëve, si nga këndvështrimi politik ashtu edhe shkencor, nevojitet një marrëveshje e re Rama–Meloni.
A do ta mbështesnit një marrëveshje të tillë?

Costanzo Della Porta: Unë nuk besoj se gjuha arbëreshe, të paktën në Molise, është drejt zhdukjes, sepse në komunat ku flitet, tradita është e rrënjosur mirë. Megjithatë, nëse mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur pakicat gjuhësore, duhet ta bëjmë. Nëse do të kishte një marrëveshje të tillë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira mes Giorgia Melonit dhe kryeministrit Edi Rama, unë do të isha i kënaqur dhe do të votoja me dëshirë një ligj në këtë drejtim.

Artur Nura: Më bëhet shumë qejfi. Sigurisht që është e nevojshme, sepse ndoshta në Molise dhe në disa rajone gjuha është ruajtur, por në zona të tjera arbëreshe situata është më delikate. Kur flitet për një parti në pushtet, nuk mendohet vetëm në nivel lokal, por në mënyrë të përgjithshme.

Costanzo Della Porta: Kushtetuta jonë mbron pakicat gjuhësore kudo në Itali dhe është e drejtë t’i mbrojë edhe atje ku rrezikojnë të zhduken. Nuk është rasti i Molises, por mund të jetë i Sicilisë apo i Kalabrisë, ku ka pakica të tjera. Pakicat gjuhësore janë pjesë përbërëse e kulturës së territorit dhe duhen mbrojtur, sepse këtë e parashikon edhe Kushtetuta jonë.

Artur Nura: Dhe kjo më bën shumë qejf. Ndërkohë ju falënderoj për këtë intervistë. Si gazetar, ua them telespektatorëve të ABC News Albania se do ta ndjek këtë çështje dhe, me senatorin Della Porta do të kthehemi ta diskutojmë në Romë për një nismë të mundshme lidhur me një marrëveshje Rama–Meloni.   / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!