Prej disa javësh Miley Cyrus është duke organizuar një show në Instagram Live, Bright Minded: Live With Miley. Personazhet e famshëm janë treguar shumë të hapur dhe të sinqertë në rrëfimet e tyre në këtë program dhe njësoj bëri edhe e ftuara e kësaj jave, këngëtarja Selena Gomez.
“Së fundmi shkova në një ndër spitalet mendorë më të mirë në Amerikë, McClean Hospital dhe pas disa vitesh që kam kaluar shumë gjëra, zbulova që jam bipolare”. –tha Selena, e cila shpjegoi se teksa bipolariteti për shumë njerëz mund të jetë shokues dhe i frikshëm, ajo është e lumtur që më në fund e kupton pse sillet ashtu si sillet.
Këngëtarja rrëfeu se kur zbuloi që kishte çrregullim bipolar u ndje e tmerruar dhe njëkohësisht e lehtësuar – sepse kuptoi më në fund pse kishte vuajtur nga ankthi dhe depresioni për aq shumë vite.
“Nuk i kam pasur kurrë të gjitha përgjigjet për këtë gjendje”, -tha ajo për Mailey-n, duke shtuar se është e lumtur që tani mund të flasë hapur për shëndetin e saj mendor. “Jam nga Texas dhe aty nuk flitet për shëndetin mendor. Ndjeva se kur e thashë atë që kisha për të thënë, doja të dija gjithçka. Kjo ma largoi frikën.”/abcnews.al