Sekuestrohet 72 kg lëndë narkotike, katër të arrestuar në Korçë

schedule08:39 - 8 Prill, 2022

schedule 08:39 - 8 Prill, 2022

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës këtë të premte në kuadër të operacionit “Restart”.

Policia bën me dije se në kuadër të këtij operacioni që ka nisur prej disa kohësh kanë rënë në pranga 16 persona.

Sipas uniformave blu vihen në pranga shtetasit  Klaudio Sino; Bardhi Sino (vëllezër); Blerim Karameta dhe Igli Cangëtari dhe janë sekuestruar 72 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet faza e gjashtë e operacionit policor të koduar “Restart”, startuar pesë muaj më parë.

Operacioni pas hetimeve intensive, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Vihen në pranga edhe 4 shtetas dhe sekuestrohen 72 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Shkon në 16 numri i të ndaluarve dhe në 445, 5 kilogramë lëndë narkotike kanabis e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Korçë dhe Devoll, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur pesë muaj më parë, kanë finalizuar me sukses fazën e gjashtë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– K. S., 35 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

– B. S., 38 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

– B. K., 26 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

– I. C., 30 vjeç, banues në fshatin Çetë, Devoll.

Shërbimet e policisë, në bazë të informacioneve të  grumbulluara se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre, do të transportonin një sasi droge, organizuan punën dhe bënë lokalizimin e mjetit tip “Mercedes-Benz”, në afërsi të hyrjes së fshatit Miras, Devoll, me drejtues shtetasin K. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 pako, me peshë totale 69 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit, iu gjetën e sekuestruan edhe 3 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, janë edhe shtetasit B. S; B. K. dhe I. C.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!