Sekuestrohen 23 kg lëndë narkotike, arrestohet 44-vjeçari në Vlorë

schedule09:54 - 23 Prill, 2020

schedule 09:54 - 23 Prill, 2020

Policia e Vlorës ka njoftuar  se janë sekuestruar rreth 23 kg lëndë narkotike, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, një pajisje metalike që shërbente për përpunimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme eurosh të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Ndërkohë është arrestuar një 44 vjeçar të cilit iu gjet në banesën e tij lënda narkotike.

Sakaq policia e Vlorës vazhdon punën për hetimin dhe identifikimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Njoftimi i policisë së Vlorës:

Vlorë

Goditet një tjetër rast i posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Përpunimi”.

Sekuestrohen rreth 23 kg lëndë narkotike, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, një pajisje metalike që shërbente për përpunimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme eurosh të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Arrestohet në flagrancë poseduesi.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion antidrogë të koduar “Përpunimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit A. B., 44 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 44-vjeçarit, në lagjjen “24 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike, rreth 23 kg cannabis sativa, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, si dhe një pajisje prerëse metalike, e cila ka shërbyer për përpunimin e lëndës narkotike.

Gjithashtu, po gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi prej 2500 eurosh, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në lidhje me pazaret e shitblerjes së lëndës narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!