Urdhëri i Ministrisë së Brendshme për bllokimin dhe sekuestrimin e menjëhershëm të lëndëve piroteknike i ka gjetur të papërgatitur tregtarët në kryeqytet, që janë furnizuar më herët me këto mallra. Ata kërkojnë që bllokimi i këtyre produkteve të bëhet që në doganë, ku të mos lejohet importimi i tyre. Prej dy ditësh në tregjet e Tiranës është vënë re mungesa e lëndëve piroteknike, ndërsa kontrollet nga policia vijojnë.
Prej më shumë se dy dekadash, Drita tregton fishekzjarre dhe kapsolla në tregun industrial të zonës së ish-Kombinatit.
“Unë i ka pasur gjithmonë këto. Kam pas shitur fishekzjarre për 26 vjet në Tiranë që në moshën 27 vjeçe. Kam 5 kalamaj, punoj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe vij se e laj këtë taksën një më një. Po mos ta paguaj unë ai vjen ma merr vendin. Paguaj licensën, të gjitha taksat”, thotë ajo.
Të gjendur përballë ndryshimeve të menjëhershme tregtarët kërkojnë që lëndët piroteknike të bllokohen në doganë, jo tek subjektet e tyre.
“Ta hedhim në kanal? Si thua ti? Shteti e ka futur. E ka zhddoganuar dhe ne e kemi blerë. E kemi dhe në kasë tregtojmë fishekzjarre. Ato që kemi ne do t’i shesim. Për kapsollat jam dakord se priten e vriten fëmijët. Ti mos i lër të hyjnë fare, por fishekzjarret do i shesim se janë gjynah. Janë miliona lekë. Ne ato lekë presim të hajmë bukë. T’i bllokojnë që atje dhe ne nuk shesim asnjëri”, shprehet tregtarja.
Në një vëzhgim që ABC News bëri në disa prej tregjeve kryesore të kryeqytetit, u vu re se subjektet e vogla tregtare nuk kishin më në vitrinat e tyre lëndë piroteknike, ashtu siç ndodhte vitet e kaluara.
Frika e sekuestrimit të mallit nga policia i ka frenuar tregtarët. Ndërgjegjësimi mbetet në mëshirë të fatit thekson kreu i drejtorisë së Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës.
“U bëj thirrje tregtarëve që tregtojnë këto mjete piroteknike që tregtojnë që në momentin që do lejohen fishekzjarret jo për kapsollat që janë lëndë të fuqishme do mundohemi t’i bllokojmë e t’i heqim nga qarkullimi dhe tregtarët mos t’i hedhin në treg. Por për fishekzjarret e thjeshta që ndoshta nuk kanë shumë rrezikshmëri sepse janë thjesht festive”, shprehet Shkëlqim Goxhaj.
Në fillim të Dhjetorit e deri në fund të tij kontrollet do të intensifikohen edhe më tej nga specialistë të shërbimit zjarrfikës bashkë me ata të forcave të rendit.
“I bëj thirrje tregtarëve që në momentin që ia shesin qytetarit mos ta ndiejnë veten të lodhur por ta sqarojnë qytetarin në mënyrën e përdorimit. Sepse kjo është e vetmja formë që ne mund ta informojmë qytetarin për përdorimin. Pavarësiht se edhe ne gjatë muajit edhe me median do jemi në kontakt me qytetarët dhe tregtarët për informimin e këtyre mjeteve se si mbahen dhe përdoren që të mos na dëmtojnë qytetarët gjatë festave të ndryshme”, thotë Goxhaj.
Të mërkurën Policia e Tiranës njoftoi se kishte sekuestruar materiale dhe produkte piroteknike që tregtoheshin jashtë standardit të kërkuar për ruajtjen e tyre, kurse të enjten sipas uniformave blu, këto mallra nuk u konstatuan në asnjë subjekt./abcnews.al