VIDEO/ Sekuestrimi i 7.3 kilogramë kokainë në portin e Durrësit, në kërkim 37-vjeçari, pritësi i lëndës narkotike

schedule10:15 - 27 Maj, 2024

schedule 10:15 - 27 Maj, 2024

Është shpallur në kërkim 37-vjeçari Fatbardh Cuni, pritësi i lëndës narkotike të sekuestruar në Portin e Durrësit dy ditë më parë.

Sipas hetimeve dyshohet se 37-vjeçari do të priste lëndën narkotike në Angli, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Sakaq theksohet se autoritetet po bashkëpunojnë ngushtësisht me homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Kujtojmë se dy ditë më parë u zhvillua operacioni i koduar “Pakot” ku u sekuestruan 7.3 kilogramë kokainë. Ndërsa në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.

Njoftimi:

Vijon operacioni policor i koduar “Pakot”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, në bashkëpunim me DVP Durrës, me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me autoritetet doganore të portit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, identifikohet dhe shpallet në kërkim pritësi i 7.3 kg kokainë që u sekuestruan në portin e Durrësit, gjatë operacionit.

Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike.

Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e  Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i hetimeve u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit Fatbardh Cuni., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli.

Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!