Kosova ‘bashkon’ Tiranën/ Rezoluta diskutohet në Kuvend më 12 tetor. Opozita kundër kryeministrit për futjen e KFOR në veri

schedule15:00 - 4 Tetor, 2023

schedule 15:00 - 4 Tetor, 2023

Socialistët dhe demokratët ranë dakord që të mblidhen në 12 tetor në një seancë të posacme për të diskutuar për Kosovën. Të dyja palët sollën nga një rezolutë, e cila bashkohet në vendosjen e Serbisë përpara përgjegjësisë. Konferenca e Kryetarëve ngriti një grup pune për një rezolutë të përbashkët deri javën tjetër, që Shqipëria të flasë me një zë për Kosovën.

Por mazhoranca dhe opozita u ndanë kur vjen puna te roli i kryeministrit Rama dhe deklaratën e tij mbi rolin e KFOR në veri.

“Mbështesim deklaratën e sotme të KFOR-it, që konfirmone dhe një herë, që rendin dhe sigurinë edhe në veri të Kosovës, e mbulon dhe është nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës”.

“Ne themi, edhe Serbia duhet të bëjë hetimet e veta padiskutim, edhe faktori ndërkombëtar duhet të rrisë influencën e vet.”

Nga zyrtat e Partisë Demokratike, doli Kreshnik Collaku për t’u ankuar mbi vendimin e Kuvendit për të mos zhvilluar një interpelancë me Edi Ramën për këtë çështje.

“Çudia është sesi në mënyrë të koordinuar, përfaqësues të dy subjekteve, Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha dhe përfaqësues të PS në Konferencën e Kryetarëve, bashkëkoordinojnë dhe dakordësohen që të rrëzohet mundësia e marrjes në pyetje të kryeministrit shqiptar për këtë çështje”.

PDIU i ofroi kuvendit një propozim tjetër, ende të pamiratuar.

“Një seancë e përbashkëtr parlamentare të Kosovës  dhe Shqipërisë”.

Ilir Meta nga selia e partisë së tij, qartësoi atë që sipas tij i takon Shqipërisë të bëjë.

“Ekskluzivitetin për rendin dhe sigurinë e ka Policia dhe institucionet e Kosovës dhe KFOR-i është në mbështetje të tyre”.

Të dyja kampet bien dakord kur e konsiderojnë ngjarjene 24 shtatorit një akt terrorist, dhe kur i kërkojnë komunitetin ndërkombëtar të dënojë Serbinë dhe të shtojë praninë e KFOR në zonën e konfliktit./abcnews.al