“Seanca në Kuvend e trishtë”, Përnaska: Berisha nuk bashkëpunon me ndërkombëtarët, opozita të reflektojë

schedule13:34 - 21 Nëntor, 2023

schedule 13:34 - 21 Nëntor, 2023

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska thotë se situata ditën e hënë në Kuvend, ku deputetët të Foltores i vunë zjarrin sallës, ishte e trishtë dhe se opozita duhet të reflektojë.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Përnaska u shpreh se Berisha nuk bashkëpunon me ndërkombëtarët dhe shtoi se PD nuk mund të jetë e izoluar.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo lloj situate. Ka dy problematika kryesore. Shoqëria shqiptare nuk i ka asnjë borxh kësaj klase politike, që të përballet dhe të ketë këtë realitet dhe këto lloje skenash. E dyta, është që sidomos brezi i ri, nuk i ka pikë borxhi kësaj klase politike, sepse janë këto imazhe, kjo sjellje, kulturë politike që po e përzë brezin e ri nga Shqipëria. Një nga arsyet që po lënë Shqipërinë, është humbja e shpresës. Keqqeverisje, nuk po shohin asnjë alternativë në opozitë. Situata është shumë e  trishtë. I përkas të djathtës dhe jam e bindur se PD nuk e kanë mbajtur kryetarët, por e kanë mbajtur armata e madhe e demokratëve që janë shumica dërrmuese në këtë vend. Është një situatë politike që duhet të ndryshojë sa më parë. Ku jemi me kulturën politike, një situatë realisht për të ardhur keq. Shoh gra deputete që imitojnë në mënyrë të shëmtuar ato modele shumë të shëmtuara të politikanëve meshkuj.

Unë shoh edhe me ecurinë e viteve, unë shoh përsëritje të skenave dhe të njëjtën mënyrë të të bërit politikë. Është për të ardhur keq, ngelet kaseta në të njëjtin vend, që nuk ngjisin te qytetarët. Shihet që me gjithë këtë investim, qoftë mazhoranca apo opozita, nuk ngjisin te njerëzit. Seanca e djeshme, është jetike, të paktën për 1 vit. Nuk u fol për buxhetin, kush e zbërtheu buxhetin? Nuk shoh, rolin e opozitës së sotme, të jetë ajo që duhet dhe nuk shoh të djathtën të përfaqësuar.

Unë vlerësoj faktin që grupi i drejtuar nga zoti Basha nuk është përplasur dhe nuk është futur në këto skenare. Secili nga ne duhet të kërkojë falje publike. Edhe zoti Basha, duhet të bëjë ndjesë të sinqertë. Patëm ndryshim lidershipi nga Berisha te Basha, por ishte i kontriolluar. Kemi qenë brenda asaj partie. Një nga problemet e mëdha që po përjeton shoqëria shqiptare, është zhdukur demokracia e brendshme brenda një partie,. Edhe te PS, por nuk ka plasur akoma andej. Shihni ndonjë bashkëpunim aktual të këtij grupi me ndërkombëtarët? Nuk ka asnjë shans që vendi të jetë i izoluar dhe një forcë politike të jetë e izoluar”, theksoi Përnaska./abcnews.al