Javën që vjen ekspertët e shëndetit në Britaninë e Madhe do të nisin testimet e vaksinës së koronavirusit tek njerëzit.
Shkencëtarët e Universitetit të Oxford-it kanë besimin se mund ta kenë gati vaksinën për sëmundjen Covid-19 gati për ta vënë në dispoziocion të miliona personave nga vjeshta.
Deri më tani, raportohet se testet që u janë bërë vaksinave në kafshë të ndryshme kanë treguar rezultate të mira, dhe hapi i radhës është testimi tek njerëzit për të vendosur nëse vaksina është e sigurt, shkruan abcnews.al
Ekipi i Oxford-it është një nga qindra të tillë në të gjithë botën që po garojnë për të zhvilluar një vaksinë për COVID-19, për të cilën ekspertët besojnë që mund të duhen të paktën 18 muaj që të jetë gati.

Më shumë se 70 vaksina janë aktualisht në zhvillim, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tre grupe të ndryshme, një në Kinë dhe dy në SHBA, kanë nisur testimet tek njerëzit.
Programi i vaksinave të Oxford-it ka rekrutuar tashmë 510 persona, të moshës midis 18 dhe 55 vjeç, për të marrë pjesë në fazën e parë të testimeve. Ata ose do të marrin vaksinën ChAdOx1 nCoV-19, e cila është zhvilluar në Oxford, ose një injeksion kontrolli për krahasim.
Profesori Adrian Hill, i cili do të drejtojë studimin, tha:
“Ne do të nisim testimet tek njerëzit javën tjetër. E kemi testuar vaksinën në disa lloje të ndryshme kafshësh. Ne kemi marrë një qasje mjaft të kujdesshme, por ama të shpejtë për të vlerësuar vaksinën që po zhvillojmë.”
Vaksina e këtij ekipi vjen nga shimpanzetë, të cilave u injektohet koronavirusi në mënyrë që të prodhojnë antitrupa dhe më pas këto antitrupa përdoren për të forcuar sistemin imunitar të njerëzve. Besohet që vaksina, e zhvilluar nga ekipe klinike të Institutit Jenner dhe Oxford Vaccine Group, të jetë e gati në shtator.
Javën e kaluar ekipi i Oxford-it njoftoi se vaksina mund të jetë gati për në vjeshtë, duke shtuar se ishin ’80 përqind’ të sigurt që do të funksiononte. Industria e medikamenteve po shpreson të shkurtojë kohën e nevojshme për të nxjerrë një vaksinë në treg, që zakonisht merr nga 10 deri në 15 vjet, në deri brenda vitit të ardhshëm. /abcnews.al/

