“S’e lëmë BE, edhe nëse shkatërrohet e bëjmë Brukselin në Tiranë,”, Rama: Kemi dorëzuar shpatën e drejtësisë, asnjë pendesë

schedule11:41 - 3 Prill, 2025

schedule 11:41 - 3 Prill, 2025

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se Shqipëria është shumë besnike ndaj Bashkimit Evropian dhe do vijojë të mbajë këtë qëndrim, pavarësisht përballjeve me burokracitë.

Ai theksoi se edhe nëse një ditë do “çmenden evropianët” dhe do shkatërrojnë BE, Shqipëria nuk do të heqë dorë prej saj, por do ta krijojë Brukselin në Tiranë.

“Është një familje jo e lehtë për të qenë pjesë, por ama është e vetmja familje që ne mund të jemi përfundimisht të sigurt dhe mund të kemi një të ardhme të pa kërcënuar përditë nga e shkuara. Që nga 1912, kemi krijuar qeverinë e parë atëherë, u ndamë të fundit nga Perandoria Otomane, se ne jemi shumë besnik ndaj perandorive.

Edhe ndahemi nga perandoritë mbasi perandoritë ndahen nga vetvetja. Kështu do jetë edhe me BE. Nëse një ditë ju do çmendeni dhe do shkatërroni BE, ne nuk e lëmë BE, do krijojmë qendrën në Shqipëri, Brukseli do jetë në Tiranë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare u ndal dhe tek reforma në drejtësi, për të cilën tha se ai personalisht dhe Partia Socialiste nuk ka asnjë pendesë.

“Që prej 1912, deri para katër vitesh, këtu në Shqipëri nuk është bëra asnjë hetim i pavarur për asnjë individ me pushtet politik. Kemi pasur ministra dhe deputetë të pushkatuar, të varur në litar, të përzënë nga vendi, por jo nga gjykata e pavarura.

Ne kemi dorëzuar shpatën, drejtësia me anë të institucioneve të reja thërret në pyetje kë të dojë, vë nën hetim kë të dojë, ngre akuza për kë të dojë, dhe dënon kë gjen fajtor dhe pak edhe kë të dojë.

Ne nuk kemi asnjë pishman pendesë për këtë përkundrazi, edhe pse kjo është një rrugë e vështirë. Ka problematikat e veta, të metat e veta, dhimbjet e veta, por është e vetmja rrugë dhe s’ka rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është kthim në të kaluarën”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!