“Gjërat Tona”/ Plagosja për grabitjen e kanabisit në Përmet

schedule20:56 - 13 Prill, 2025

schedule 20:56 - 13 Prill, 2025

Përveç dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiçës, për Jani Alinë tashmë ka nisur edhe një tjetër proces në mungesë në Gjykatën e Posaçme.

Alia do të përballet në Shqipëri edhe me një tjetër proces ku është i dyshuar për vrasje në tentativë dhe trafik droge.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 10 vite më parë në fshatin Frashër të Përmetit, ku gjatë një tentative për grabitjen e 100 kilogramëve kanabis, mbeti i plagosur një person dhe që drejtësia në Shqipëri e konsideron atë të kryer nga një grup kriminal.

Çështja u hetua nga Prokuroria e Përmetit që mori të pandehur disa persona mes të cilëve edhe Jani Alianë, si personi që kishte porositur sasinë e lëndës narkotike për ta blerë dhe më pas organizuar grabitjen e saj. Por Apeli i Përgjithshëm në Tiranë që mori në shqyrtim këtë dosje nga Gjykata e Përmetit, vendosi rigjykimin e saj dhe dërgimin në Gjykatën e Posaçme për shkak të kompetencës që kjo e fundit ka për gjykimin e grupeve kriminale.

Sipas vendimit të Gjykatës së Përmetit, rezulton se shtetasi Enea Koçia, në datë 5 tetor 2015 pasi ka komunikuar me Altin Merdanin ka marrë automjetin e tij dhe fillimisht ka shkuar në një karburant në Gjirokastër ku është takuar me Stefan Gjokën, në orët e vona të natës. Pasi janë organizuar me tri automjete, bashkë me Jani Alinë dhe Mario Ndreun, i cili njihet edhe me emrin Arsen, janë armatosur me arme luftarake, janë nisur në drejtim të fshatit Frashër të Përmetit, me qëllim për të grabitur një sasi prej 100 kg lënde narkotike. Kjo sasi droge po sillej nga fshati Nikollarë i Skraparit, nga vëllezërit Ilirjan, Fatri dhe Gazmor Ibro. Këta të fundit ishin organizuar nën drejtimin dhe organizimin e Altin Merdanit. Por nga ana tjetër ai kishte përgatitur grabitjen e 100 kg kanabis bashkë me Enea Koçinë, Mario Ndreun, Stefan Gjokën, Jani Alinë dhe Roland Patën, që janë nisur nga Gjirokastra ditën e ngjarjes. Konkretisht ata do të shkonin drejt fshatit Frashër, në vendin e quajtur “Hangari i Gostomickës”. Jani Alia, bashkë me 4 personat e tjerë kanë dalë jashtë automjeteve të armatosur dhe kane pritur palën tjetër që do të sillnin lëndën narkotike. Rezulton se në fshatin Vreçisht do të bëhej shkëmbimi i lëndës narkotike kundrejt 1000 euro për kilogram dhe do të blihej nga të njohurit e Altin Merdanit. Pas një udhëtimi për rreth 1 orë, në këmbë, rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit, në vendin ku i prisnin Enea Koçia e të tjerë, kanë mbërritur vëllezërit Ilirjan dhe Fatri Fatri Ibro, në një lëndinë te “Hangari Gostimickës”, fshati Vreçisht.

Në këtë vend, i prisnin grupi tjetër, ku ishte edhe Jani Alia, të cilët për të shkuar në vendin e ngjarjes, kanë përdorur 5 automjetet e dhëna nga Elton Abazaj dhe Eeduart Sallaku. Në momentin që janë afruar pesë personat që po transportonin lëndën narkotike me mushka, u është bërë thirrje që të ndalojnë në një largësi 5-10 metra nga dy automjetet, në të cilat ishin pesë persona, të armatosur me armë luftarake.

Stefan Gjoka kishte një automatik, Jani Alia një pistoletë, Enea Koçia një automatik dhe Mario Ndreu po ashtu një automatik. Ata kanë hapur zjarr me tri armë të ndryshme, dy automatik dhe një pistoletë në drejtim të Gazmor Ibros dhe një nga gëzhojat e armës së llojit automatik ka rënë në sediljen e pasme të automjetit që drejtohej nga Enea Koçia dhe bashkë me të ndodhej dhe Stefan Gjoka e Mario Ndreu. Ndërsa një nga predhat ka goditur Gazmor Ibron në shpinë duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.

Më pas, autorët kanë marrë gjithë lëndën narkotike dhe e kanë ngarkuar në një prej automjeteve të tyre dhe janë larguar. Por kjo makinë, për shkak të defektit shkaktuar si pasojë e terrenit të vështirë, nuk ka mundur të lëvizë. Pasi janë larguar të pestë me dy automjetet e tjera, janë kthyer pas rreth 10 minutash, me një tjetër makinë dhe kanë lidhur me kavo makinën që kishte të ngarkuar kanabisin. Në këto momente ata janë afruar pranë të plagosurit Gazmor Ibro dhe pas tyre janë afruar edhe dy vëllezërit e tij e dy persona të tjerë, banorë të fshatit Vreçisht, që po i vinin në ndihmë të plagosurit. Në këtë moment, ata kanë marrë të plagosurit dhe janë larguar. Por edhe njëra nga makinat e tyre ka pësuar defekt, duke u çarë edhe gomat, e për pasojë nuk kanë arritur të kalojnë përroin e fshatit Frashër.

Në këtë moment, Altin Merdani, Jani Alia dhe Pajtim Shyti, kanë shkuar për të kërkuar ndihmë në fshatin Frashër, për automjet me qëllim për të transportuar Gazmor Ibron. Pasi kanë gjetur një automjet fuoristradë, pronë e një personi që ndodhej në fshat, kanë hipur të tre dhe kanë zbritur poshtë. Automjeti ka marrë të plagosurin dhe bashkë me të kanë hipur dhe vëllai i tij dhe Altin Merdani. Ndërsa personat e tjerë, bashkë me Jani Alinë, pasi kanë hequr lëndën narkotike nga 2 automjetet e tyre e kanë fshehur në një largësi afro 80 metra nga vendi ku kishin mbetur në përrua.

Ndërsa Roland Pata, bashkë me një nga të dyshuarit kanë mundur të kalojnë me automjetin e tyre përroin, por duke dëmtuar plotësisht katër gomat. Ashtu kanë udhëtuar deri në afërsi të fshatit Pagri, ku dhe Roland Pata është arrestuar në flagrancë, ndërsa personi tjetër që ndodhej me të, Stefan Gjoka, ka mundur të dalë nga sedilja e parë e pasagjerit dhe u ka ikur me vrap forcave të Policisë.

Fatri Ibro dhe Gazor Ibro kanë hipur në helikopterin e ardhur për të ndihmuar të plagosurit dhe janë larguar për në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku është kryer ndalimi i të plagosurit Gazmor Ibro. Ndërsa për të vëllain, Ilirjan Ibro nuk është bërë i mundur ndalimi, pasi menjëherë sapo ka dërguar Gazmorin në spital është larguar. Nga ana tjetër, Altin Merdani, ka qëndruar në fshatin Frashër dhe është arrestuar në flagrancë në datë 6 tetor 2015. Pajtim Shyti, bashkë me të dyshuarit e tjetër, Jani Alia, Mario Ndreu dhe Enea Koçia, kanë qëndruar të fshehur, në një largësi të sigurt, në vendin ku kanë ngecur dy automjetet duke parë dhe vëzhguar veprimet e Policisë. Madje Pajtim Shyti, ka mbajtur në kontakt dhe ka biseduar me personat e tjerë për gjithë lëvizjet që bënin shërbimet e Policisë në vendngjarje. Më pas, Shyti është larguar nga vendi ngjarjes drejt fshatrave të Skraparit, duke i kthyer dhe telefonin një dëshmitari, të cilin ia kishin marrë në orët e para të mëngjesit me qëllim për të mos njoftuar Policinë. Ndërsa Jani Alia dhe dy persona e tjerë largohen në drejtim të paditur nga vendi i ngjarjes.

Gjykata e Përmetit, ka konkluduar se Jani Alia ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa sipas Gjykatës është i pafajshëm për veprën penale “Vrasje me dashje në lidhje me nje krim tjetër” në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Në përfundim ai është dënuar me 15 vite burgim. Ndërsa të bashkëpandehurin Mario Ndreu, Gjykata e Përmetit e ka cilësuar të pafajshëm, me arsyetimin se bazuar në provat e organit të akuzës nuk krijohet bindja se ai së paku ka qenë në vendngjarje dhe se ka kryer veprat për të cilat akuzohet.

Por vendimi është ankimuar nga Prokuroria, që ka kundërshtuar vendimin për Jani Alinë, duke kërkuar deklarimin e tij fajtor edhe për vrasje të mbetur në tentativë. Gjykata e Apelit, duke shqyrtuar në themel faktet që i atribuohen të pandehurve Jani Alia e Mario Ndreu, ne raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorit, vlerësoi se:

Gjykata e Apelit

Në rastin konkret, faktet penale që i atribuohen të pandehurve janë kryer jo rastësisht apo në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi të atëçastshëm. Në analizë të fakteve, rrethanave dhe provave të marra e të verifikuara në këtë gjykim, kolegji i gjykatës së apelit, arriti në një konkluzion të ndryshëm në lidhje me formën bashkëpunimit, duke çmuar se të bashkëpandehurit në këtë procedim penal, kanë bashkëvepruar mes tyre, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Duke parashtruar edhe shumë rrethana dhe fakte të tjera, më 17 shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi prishjen e vendimit të datës 7 nëntor 2022 të Gjykatës së Përmet dhe dërgimin e çështjes në gjykatën kompetente nga pikëpamja lëndore, pra në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Tashmë hetimet janë mbyllur dhe çështja ka kaluar në gjykim, ku seanca e parë zhvillohet gjatë muajit prill.

Pra, duket se Jani Alia, përveç burgut përjetë për vrasjen e Elton Çiçës, për të cilën ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të përballet edhe me akuza të tjera. Megjithatë, fillimisht duhet të mbyllë hesapet me drejtësinë greke, ku ka për të vuajtur edhe 2 vite burgim. Siç rezulton nga ky vendim, identifikimi i Jani Alisë si autor i ngjarjes së 5 tetorit 2015 ka marrë shumë kohë. Nëse do ishte vepruar shpejt e ai të ishte arrestuar, me gjasë shumë krime që pasuan atë ngjarje mund të mos kishin ndodhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!